Një person ngujohet brenda makinës në Fier (Arsyeja)
Shtetasi Ervin Memo është ngujuar në makinën e tij paraditen e kësaj të mërkure, në një sipërfaqe toke që pretendon se e ka me dokumentacion të rregullt dhe nuk del prej aty me frikën se mbi këtë sipërfaqe toke do të nisin punimet për ndërtimin e një shtylle të tensionit të lartë.
Memo ka deklaruar se është kontaktuar nga ana e firmës e cila do të vendosë shtyllën, dhe i është konfirmuar se kjo e fundit nuk do të vendoset në tokën e tij, ndërsa më pas ka vënë re se toka është piketuar.
Memo ka vendosur makinën në brendësi të tokës dhe thotë se këtë të fundit prej vitesh e ka në pronësi me dokumenta të rregullta dhe se ky proces po manipulohet.
Memo ka shtuar se në bazë të dokumentacionit shtylla duhet të vendoset në një hapësirë toke që në hartë rezulton tokë shtet, rrugë, por që nga ana e firmës është piketuar toka e tij.