Anulohet mbledhja mes dy qeverive, Baton Haxhiu: Edi Rama, shpëtimtari i vetëm i Kosovës në këtë moment
Analisti dhe gazetari Baton Haxhiu gjykon se Kryeministri Edi Rama i ka dhënë Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti 72 orë frymëmarrje politike përpara se BE dhe SHBA të aplikojnë sanksionet nëse nuk qetësohet situata në veri të Kosovës.
Në një lidhje me Skype për emisionin Opinion në Tv Klan, Baton Haxhiu u shpreh se Kosova dhe Kryeministri Kurti janë aktualisht përpara sanksioneve.
Baton Haxhiu beson se Kryeministri Edi Rama është aktualisht i vetmi person që mund të shpëtojë, sipas tij, Kosovën në këtë situatë që ndodhet.
“Ka 2-3 ditë që ka komunikim mes Kryeministrit Rama dhe Albin Kurtit. Dhe kjo që deshi z.Rama edhe kur e propozoi draftin, deshi frymëmarrje politike për Albin Kurtin. Kjo frymëmarrje politike i dha atij 72 orë që të përqafojë deeskalimin e cila është A-ja e asaj që ai duhet të ndërmarrë.
Z.Kurti dhe Kosova janë para sanksioneve dhe sanksionet janë gati të shkruara, së pari vijnë nga BE dhe pastaj nga SHBA. Ekzistojnë të gjitha të shkruara. Vetëm pritet momenti që të hyjnë në fuqi. Problemi kryesor për ata të cilët e dinë që janë sanksione, ato vështirë të kthehen mbrapsht dhe qëndrojnë për një kihë të gjatë.
E para, për të ndërgjegjësuar qeverinë, e dyta për të vetëdijësuar qytetarët se kë duhet të votojnë, e treta tregon për shqiptarët e Kosovës se në një moment politik të saj janë mosmirënjohës për atë që bashkësia ndërkombëtare ka bërë. Ky moment i takon dhe krejt Kosovës. A duhet të sanksionohet Kurti si Kryeministër”.