Lajm i mirë për ata që punojnë në shtet/ Javën e ardhshme ndahen shtesat e pagave për prill-maj. Në korrik nis paga e re
Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj njoftoi se gjatë javës së ardhshme, institucionet publike do t’i paguajnë punonjësve të tyre shtesat e pagave të reja, për muajin prill dhe maj, që nuk i morën dot në kohë.
Në konferencën pas mbledhjes së qeverisë, Ibrahimaj shtoi se në korrik, administrata dhe të gjithë funksionarët, do të marrin pagën e rritur, sipas koeficientëve që miratoi parlamenti në maj të këtij viti.
Ndërkohë, në fillim të qershorit, Ibrahimaj në një konferencë të paparashikuar, tha se qeveria do të shtyjë edhe për këtë muaj rritjen e pagave për sektorin shtetëror. Shkak ishte keqllogaritja e koeicientëve, ku me rritjet e reja një nënpunës mund të kishte pagë më të lartë se një drejtor.
Pak muaj nga miratimi, qeveria tha se i duhet më shumë kohë për të jetëzuar rritjen e pagave, por disa ditë nga ky konstatim, vendos tashmë shpërndarjen.
Ajo ka sqaruar se në muajin që vjen, korrik 2023, administrata do të ketë marrë dy shtesat e pagës së miratuar, që nuk u morën gjatë muajit prill-maj.
Në konferencë, Ibrahimaj tregoi dhe se javën e shkuar, qeveria e Shqipërisë ka emetuar Eurobondin, për të cilin, ndonëse u paralajmërua një konferencë nuk ndodhi.
Ministrja tha se ka pasur interes të lartë nga investitorët e huaj.