Gara për kreun e PD-së, Kryesia miraton dy kandidaturat
Kryesia e PD-së, ka miratuar dy kandidaturat për kreun e PD-së, ku në garën për 29 korrikun do të jenë përballë njëri-tjetrit, Lulzim Basha dhe Gjergj Hani.
Gjithashtu në deklaratën e PD-së, përmenden dhe kritika ndaj atyre që kanë bojkotuar procesin, sikurse dhe pretendimet mediatike, ku shkruhet se nuk e ndihmojnë procesin në vetvete por largojnë vëmendjen prej përpjekjeve që duan t’u japin demokratëve dhe shqiptarëve një opozitë të fortë dhe një alternativë qeverisëse.
Deklarata: Në mbështetje të nenit 45, pika 1 të Statutit të PDSh-së, dhe në zbatim të vendimeve të datave 6 qershor dhe 15 Qershor 2023, Kryesia e Partisë Demokratike të Shqipërisë, bazuar në relacionin e paraqitur nga Sekretariti Ekzekutiv, vendosi miratimin e kandidaturave për zgjedhjet për pozicionin e Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë si vijon:
– Gjergj Tomor Hani
– Lulzim Xhelal Basha
Miratimi i kandidaturave për pozicionin e Kryetarit të Partisë Demokratike shënon një moment vendimtar për familjen tonë politike. Në prag të çeljes së garës, ne ftojmë çdo demokrat të jetë pjesë aktive e saj dhe e procesit të riorgnizimit, nëpërmjet të cilit do të ngrihemi në lartësinë e vlerave dhe aspiratave mbi të cilat Partia Demokratike u themelua në Dhjetor të vitit 1990, si forca e parë pro-perëndimore dhe si shpresa e shqiptarëve për ndryshim.
Gjithashtu, nisur nga zhvillimet e fundit brenda forcës sonë politike, Kryesia e Partisë Demokratike e vlerëson të papranueshëm qëndrimin bojkotues të disa prej anëtarëve të saj dhe fton secilin prej tyre të vetëpërmbahet nga ngritja e pretendimeve të pabaza që dëmtojnë interesat e familjes sonë politike.
Ne ftojmë çdo anëtar të Kryesisë së Partisë Demokratike të jetë pjesë e jetës institucionale dhe t’i japë zë çdo shqetësimi që mund të ketë brenda mandatit me të cilin është ngarkuar nga anëtarësia.
Mosnjohja e institucioneve, pretendimet mediatike të pabaza dhe akuzat e pamotivuara nuk ndihmojnë procesin e riorganizimit dhe shfokusojnë përpjekjet e përbashkëta për t’u dhënë demokratëve dhe shqiptarëve një opozitë të fortë dhe një alternativë qeverisëse të denjë për sfidat e Shqipërisë