Detaje/ Ekzekutimi i babë e bir në Dukagjin, ja çfarë u gjet në vendin e krimit. Pistat që mund të zbardhin atentatin
DUKAGJIN- Policia e Shkodrës është rikthyer sërish sot në mëngjes në vendin e ngjarjes në fshatit Sumë të zonës së Pultit për të mbledhur prova të reja lidhur me vrasjen e babë e bir, Gjokë e Eduart Gurra.
Nga ekspertiza paraprake ka rezultuar se nga gëzhojat e sekuestruara në vendin e ngjarjes është qëlluar nga një armë e vetme e tipit kallashnikov.
Në vendngjarje janë sekuestruar 8 gëzhoja. Autori besohet të ketë vepruar i vetëm, por nuk përjashtohet mundësia që të jetë ndihmuar edhe nga persona të tjerë për t’u larguar.
Veç pistës së konkurrencës pasi babë e bir kishin aktivitet të tregtimit të lëndës drusore, policia ka ngritur edhe atë të konflikteve për mbjelljen e kanabis sativa, duke qenë se 57-vjeçari në 2008-ën ka qenë punonjës policie dhe së fundmi kryeplak i fshatit Bruçaj. Po verifikohet, nëse ka denoncuar ndonjë rast të kultivimit të drogës dhe kjo mund të jetë bërë shkak për vrasjen./