Zbardhet axhenda e vizitës së Bill Klintonit/ Policia masa të forta: Në shërbim të përforcuar
Ish-presidenti amerikan Bill Klinton, mbërrin të hënën në Tiranë në të parën vizitë të tij në Shqipëri, me ftesë të Kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë shqiptare.
Presidenti i 42-të i SHBA-ve, do të nderohet në një ceremoni të posaçme me Kordonin e Madh me Yllin e Mirënjohjes Publike”, në një ceremoni speciale madhështore në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, e cila parashikohet të mbahet rreth orës 19.25.
Presidenti Klinton mbërrin në Tiranë më 3 Korrik, në orën 14.30 ku do të pritet në aeroportin “Nënë Tereza” nga Kryeministri Edi Rama, nga ku do të akomodohet në një prej vilave qeveritare dhe më pas në 18.30, në selinë e qeverisë do të marrë pjesë në një takim informal me kabinetin qeveritar, nga ku me pas do t’i drejtohet ceremonisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Presidenti amerikan Klinton dhe kryeministri Edi Rama do t’i adresohen me një fjalë të posaçme të pranishmëve dhe publikut.
Më pas Kryeministri do ta nderojë Presidentin Klinton, mbështetësin e madh të Shqipërisë dhe Kosovës, me dekoratën më të lartë qeveritare ” Kordonin e Madh me Yllin e Mirënjohjes Publike”.
Kryeministri Rama do të shtrojë një darkë private për nder të Presidentit Amerikan Bill Klinton.
Policia e Shtetit kalon në shërbim të përforcuar për të garantuar sigurinë e vizitës së Presidentit të 42-të të SHBA-së, Bill Klinton në Tiranë në 3 dhe 4 Korrik. Sigurohet i gjithë perimetri i lëvizjes, që kur avioni prek tokë shqiptare pas mesditës së të hënës, në orën 14.30 e deri në përfundim në 4 Korrik, ditën që përkon me festën kombëtare të amerikës.
Vizita 2 ditore në Tiranë e Presidentit Klinton përkon me 4 Korrikun, festën zyrtare të SHBA.