Taulant Balla mbledh strukturat e Policisë: Nëse ju telefonojnë deputetët, i drejtoni tek unë! 100 shtëpitë e para falas për efektivët e rinj
Ministri i ri i Brendshëm, Taulant Balla ka mbledhur këtë të hënë strukturat në varësi të tij dhe ka kërkuar angazhim maksimal prej tyre. Balla ka thënë se kushdo që nuk do të tregojë gatishmëri për të shkuar përtej vetes, do e ketë të pamundur të mbajë detyrat aktuale që ka.
Ai u foli drejtuesve të Policisë së Shtetit edhe nëse ata marrin telefonata nga deputetë të ndryshëm për ndërhyrje në punët e tyre.
“Kush nuk do tregojë gatishmëri për të punuar së bashku, për të shkuar përtej vetes, duke e rritur kontributin e përbashkët, do ta ketë të pamundur ta ketë pozicionin që tanimë ka. Asnjë deputet nuk duhet të ndërhyjë në punën tuaj. Kushdo që pranon ndërhyrje, nuk do të mund të paraqesë asnjë justifikim për të qëndruar në këtë detyrë.
Ju keni detyrën të dëgjoni me respekt sa herë ju bie telefoni nga një deputet, por për çdo rast që arsyeja e telefonatës përbën ndërhyrje në kryerjen e kryerjes së detyrës tuaj, ju kërkoj që deputetin këtej e tutje drejtojeni te unë.
Kur them për deputetin, ndërhyrja për këdo tjetër është e papranueshme. Përzierje të kujtdo në detyrën tuaj, në asnjë rast apo dhe detyrë. Kjo është një kërkesë e kryeministrit prej vitit 2013. Ky ishte standardi i kërkuar nga kolegët e mi, i cili duhet aplikuar 100%”, u shpreh Balla.
Ministri i ri Taulant Balla tha se një ndër prioritet e punës së tij do të jetë dhe rritja e standardit të jetesës së punonjësve të Policisë së Shtetit.
“Do të kujdesem për rritjen e standardit të jetesës së punonjësve të Policisë. Edhe për kushtet financiare dhe kushtet e strehimit të tyre. Nga nesër do të fillojmë të trajtojmë problemet e banimit për ata që shërbejnë në qytete të ndryshme.
Do të jepen 100 banesat e para për të gjithë policët e rinj, në bashkëpunim me ministritë përgjegjëse”, u shpreh ai.