Zjarret në vendgrumbullimin e mbetjeve në Vlorë, nisin hetimet për shkakun, dyshohet se…
Gazetari Enrik Mehmeti, nga vendgrumbullimi i mbetjeve në Vlorë raporton për News24, situatën nga vatrat e zjarrit të cilat janë prezente prej tre ditësh.
Drejtori i shërbimeve publike të bashkisë Vlorë, Edmond Leka, në një intervistë për News24 u shpreh se organet kompetente kanë nisur hetimin për shkakun e zjarreve, teksa dyshohet si i qëllimshëm.
“Jemi te fusha e mbetjeve, aty ku zjarri i përmasave të mëdha që ka nisur që dje ka dëmtuar pjesën ekologjike në Vlorë. Vatrat e zjarrit janë qetësuar disi, por tymi është prezent ende. Zjarri, prezent prej 24 orësh është bërë shqetësim për banorët. Në zonë kanë mbërritur efektivë, të cilët janë duke punuar për të fikur vatrat e zjarrit. Është ndërhyrë edhe nga ajri. Prezent është dhe drejtori i shërbimeve publike i bashkisë Vlorë, i cili ka bërë apelin për ndërhyrje”, raportoi Mehmeti.
Ndërsa drejtori i shërbimeve publike të bashkisë Vlorë, bëri me dije se në vendngjarje ndodhen fadroma dhe kamionë, të cilët janë duke punuar për pastrimin e zonës.
“Sot është dita e tretë e zjarreve, më e keqe ishte ajo e djeshme. Janë katër fadromë të mëdhenj që janë duke punuar dhe 40 kamionë. Ka filluar hetimi nga organet kompetente për shkakun e zjarrit. Ka rreth 6 vite kjo situatë, por kohët e fundit është bërë më shqetësuese. Kjo zonë është e rrezikshme. Në lidhje me zjarrin, dyshohet se është i qëllimshëm”, u shpreh drejtori i shërbimeve në bashkinë e qytetit, Edmond Leka.
/BalkanWeb