Ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarit, Ioanis Oikonomou ka urdhëruar largimin e menjëhershëm nga detyrat e përgjegjësisë së 7 oficerëve të policisë greke EL.AS dhe ka dhënë porosi për hapjen e një hetimi të brendshëm pas vrasjes së një 29 vjeçari grek në incidentet e dhunshme mes huliganëve kroatë e grekë në Athinë.
“Sporti nuk është një vend dhune dhe nuk duhet të shkatërrohet nga tifozët. Fatkeqësisht, me gjithë përpjekjet e mëdha të bëra, sidomos pas vrasjes së Alkis Kampanos, ende nuk kemi arritur të mposhtim dhunën e tifozëve”– ka deklaruar ai për mediat greke.
“Ne do të këmbëngulim në këtë drejtim, më sistematikisht dhe më intensivisht. Por, padyshim, ne kemi nevojë për shumë më tepër, në çdo nivel: sportiv, arsimor, arsimor, politik dhe më gjerësisht social.
Dhe është një problem i thellë, radikal dhe panevropian, pasi në këtë rast përfshihen tifozë nga shtete të ndryshme, të cilët kanë krijuar rrjete ndërkombëtare të dhunës dhe janë aktivë në shumë vende. Qeveria dhe autoritetet kompetente, me Federatën Helenike të Futbollit, po marrin të gjitha masat e nevojshme dhe janë në konsultim të vazhdueshëm me çdo organ të përfshirë” – ka thënë ai.
Për sa i përket faktit të kalimit të kufirit grek të tifozëve të Dinamo Zagrebit, udhëtimit të tyre brenda Greqisë dhe mbërritjes eventuale të tyre në vendin e incidentit, ngjarja është e papranueshme -ka thënë Oikonomou.
Zyrtarët e policisë që janë pezulluar dhe shkarkuar nga detyra janë :
1. Nëndrejtori për Luftën kundër Dhunës në Ambjentet Sportive .
2. Përgjegjësit e policisë rrugore në aksin e Janinës, Rruga e III-të e Autostradës Antirrio – Janinë, Autostrada 2 në Antirrio , të autostradave në zonën e Ahaias dhe Korinthit.
Reagime të forta kanë pasuar në mediat greke pasi janë zbuluar dokumenta sipas të cilave policia kundër dhunës sportive ishte në dijeni prej dy ditësh që do të vinin në Athinë 100 huliganë kroatë të ashtuquajturës shoqatë GΝΚ Dinamo Zagreb – BAD BLUE BOYS. Në foto dokumentat dhe 29 vjeçari i vrarë.