Plagosja e policit në Pilur, Balla: Redin Caushaj po lufton për jetën në spital, ndëshkim të ashpër për autorin
Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar në lidhje me plagosjen e efektivit Redin Caushaj në Pilur.
25-vjeçari edhe pse ishte jashtë shërbimit ndërhyri për të shuar një konflikt por u plagos nga 60-vjeçari Thodhori Mërkuri.
Balla shkruan se Caushaj po lufton për jetën në spital ndërsa kërkon nga Prokuroria Vlorë të bëjë një hetim të plotë, të pavarur dhe një ndërshkim të ashpër për fajtorin
Postimi:
Prej mbrëmë, pak para mesnate, një nga djemtë e rinj dhe të përkushtuar të Policisë së Komisariatit Himarë, Redin Çaushaj, po lufton për jetën në Reanimacion e Spitalit Vlorë. Mjekët dhe infermieret e këtij spitali kanë bërë më të mirën dhe gjendja shëndetësore e Redianit, edhe pse vazhdon e rëndë, po shfaq përmirësime dhe paraqitet e stabilizuar në parametrat jetikë për momentin. Redin Caushaj mban detyrën e inspektorit në Policinë e Shtetit dhe dje edhe pse jashtë orarit të shërbimit është përpjekur të bëjë detyrën duke ndërhyrë për shuarjen e një konflikti mes dy shtetasve, siç jam informuar menjëherë mbrëmë nga Drejtori i Përgjithshëm. Në këtë përpjekje të punonjësit të policisë, njëri nga shtetasit e ka goditur me armë të ftohtë duke e plagosur rëndë. Autori i këtij krimi është arrestuar sot në të gdhirë nga forcat tona të Policisë së Shtetit dhe pres nga Prokuroria Vlorë të bëjë një hetim të plotë, të pavarur dhe një ndërshkim të ashpër për fajtorin. Kushdo që guxon të ngrejë dorë kundër një punonjësi policie duhet ta dijë mirë se po kryen një krim të rëndë kundër shtetit. Do të flas në një moment të dytë sot për këtë çështje.
Redini do të vazhdojë të qëndrojë në Reanimacioin e Spitalit Vlorë, pas konsultimit që patëm me mjekët dhe drejtuesit e Spitalit