Kryeministri Rama viziton puset e shpuara në Shpirag të Beratit, shikon nga afër punimet
Në Shpirag, zonën naftëmbajtëse më të rëndësishme në Shqipëri, pas një pune titanike thuajse 10 vjeçare, dhe arritjes në 6002 metra në thellësi të tokës, është prekur një rezervë e madhe gazi e nafte e cilësisë më të lartë, ndërkohë që po përgatitet testi vendimtar i qëndrueshmërisë së presionit të nëntokës për nxjerrjen e saj lart, i cili në rast suksesi do të thotë një kapërcim historik në jetën ekonomike të vendit.
Aktualisht aktiviteti i punës në kantier është përqendruar në vlerësimin e pusit Shpirag 5, si pjesë e Programit Vlerësues të Bllokut 2/3. Gjeologjia e kësaj fushe naftëmbajtëse është një nga më të vështirat, më sfidueset në botë.
Për të inspektuar ecurinë e kërkimeve në zonën naftëmbajtëse Shpirag 5, ku ka përfunduar me sukses faza e shpimit ishte Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Zv/kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, drejtues të kompanisë Shell në Shqipëri, si dhe drejtues të punimeve në puset Shpirag 4 dhe Shpirag 5.
“Ndodhemi në pusin numër 5 në Shpirag. Këtu ku jemi në fazën e eksplorimit, kemi arritur në 6002 metra. 1000 metrat e fundit kanë qenë brenda në rezervuar dhe këtu për pak, mbaron faza e eksplorimit, duke kaluar pastaj në fazën e rezultateve që fillon në tetor”, shpjegoi Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.
Kryeministri Rama u njoh në mënyrë të detajuar nga drejtuesit e kompanisë si dhe ekspertët e terrenit mbi ecurinë e deritanishme të punimeve, ku zbulimi i rëndësishëm i kryer 6.1km në thellësi të tokës naftëmbajtëse, mbart bashkë me premtimin e madh të nxjerrjes së një pasurie të konsiderueshme për Shqipërinë dhe shqiptarët, edhe sfidën e testit përfundimtar teknik të vlerësimit të qëndrueshmërisë së presionit të fluksit të gazit e të naftës, deri mbi sipërfaqen e tokës.
“E dimë që nafta është aty, por duhet të sigurojmë rrjedhën e vet. Ajo çfarë kemi bërë, është që kemi parë vende të ndryshme në Shqipëri për të përdorur dhe ekspertizën tonë ndërkombëtare, për të parë se ku qëndron nafta, si do të sigurohet fluksi”, shpjegoi ndër të tjera menaxheri zhvillimor në terren, teksa theksoi se kompania po përdor teknologjinë më të mirë ekzistuese dhe disa nga njerëzit më të kualifikuar të industrisë.
“Kjo është salla e kontrollit. Ky vend, kjo kullë ku po punojnë njerëzit tani është diçka e re, është diçka, e cila po përdoret në Shqipëri, që merr pjesë të naftës dhe i shndërron në gaz. Kjo është një teknikë e ndërtuar në Zvicër, për herë të parë po provohet në Shqipëri”, u shpreh ai.