Avioni i rrëzuar i Prigozhin, një ndër më të sigurtët në botë
Avioni privat që u rrëzua në Rusi dhe që i mori jetën kreut të grupit të mercenarëve Wagner, Yevgeny Prigozhin dhe 9 personave të tjerë ishte një Embraer Legacy 600.
Kompania me bazë në Brazil nisi të operonte në vitin 2002 dhe që prej asaj kohë ka prodhuar 300 avionë privatë.
Modeli që kishte në pronësi Prigozhin, ishte një ndër më të mirët përsa i përket sigurisë dhe deri tani ka patur vetëm një aksident në 20 vite.
Sipas faqes International Aviation HQ, incidenti i vetëm me Embraer Legacy 600 ka ndodhur në vitin 2006 dhe në fakt bëhet fjalë për një gabim njerëzor sesa për një problem mekanik.
Kompania Embraer deklaroi së fundmi se ka të dhëna për rrëzimin e një avioni të prodhuar prej saj në Rusi, por nuk dha detaje.
Ndërkohë, që dëshmitarët në vendngjarje, tregojnë se përpara rrëzimit të avionit ku udhëtonte Prigozhin, janë dëgjuar dy shpërthime të forta, të cilat shtojnë dyshimet se ai mund të ketë qenë në objektivin e armëve kundërajrore.