U vra duke mbrojtur shokun italian/ Flet vëllai i 23 vjeçarit shqiptar: E pashë të shuhej para meje
Vëllai i 23 vjeçarit shqiptar, Klajdi Bitri që u vra pasditen e së dielës nga një algjerian pasi ndërhyri për të shuar sherrin me shokun e tij, ka folur për mediat italiane. 18 vjeç Xhuliano Bitri ka rrëfyer të gjithë dinamikën se si ndodhi ngjarja ndërsa shton se e ka parë të vëllanë të vdiste para syve të tij.
“Dua drejtësi. E pashë vëllain të vdiste para meje, të vrarë me indiferencë totale, pa e kuptuar as pse. Pa pasur kohë për të vënë re se ai po vdiste. E pashë të zbehej gjithnjë e më shumë, krejt papritur, dhe nuk më përgjigjej më sepse kishte vdekur”, thotë 18 vjeçari ndërsa tregon se si ndodhi krimi i rëndë.
“Ishim në dy makina. Unë isha me vëllain tim dhe një person tjetër, ndërsa në tjetrin ishte një miku ynë italian me gruan dhe dy fëmijët e tij të vegjël. Së bashku, duhej të shkonim në det në Sirolo. Ishim pak mbrapa dhe, kur mbërritëm, pamë Danilon ( mikun italian ) duke u rrahur nga algjeriani në mes të rrugës.
Vëllai im kishte shumë respekt për Danilon, sepse falë faktit që ai e mori për të punuar tek ai në kuzhinën e restorantit të tij, ai mundi të fillonte të linte mënjanë para për të më lejuar të vija. Italia më dha mundësinë të filloj një jetë të re. Prindërit tanë janë ende në Shqipëri. Ata nuk do të mund të vijnë as në Itali për të parë djalin e tyre. Tani, jam unë që ndihem i detyruar të zgjidh të gjitha dokumentet e nevojshme për ta dërguar atë në shtëpi.“, tregon Xhuliano.
Xhuliano rrëfen se kur ka parë sherrin, 23 vjeçari ka zbritur për t’i ndarë. Ai thotë se pasi Klajdi i ka kërkuar disa herë algjerianit që të ndalojë sepse skenën po e shikonin dy fëmijë të vegjël, situata u duk sikur u qetësua. Por algjeriani shkoi për të marrë tek makina shtizën, me të cilën qëlloi në gjoks të riun.
“Dukej i qetë, dukej se gjithçka ishte zgjidhur. Më pas, në vend të kësaj hapi derën e pasme të makinës ku po qëndronte e fejuara e tij dhe nxori shtizën. Sapo e pashë, i bërtita vëllait: “Vrapo, ik. Fshihu. Ai ka një armë.” Unë u përkula pas makinës dhe vëllai im u përpoq, por pa rezultat. Nga një distancë prej dy-tre metrash e qëlloi algjeriani. Dhe ai e qëlloi me dashje. Pastaj, ai hodhi shigjetën që kishte rënë në gjoksin e vëllait tim, u largua duke arritur makinën me të dashurën e tij”, shton 18 vjeçari.
Marrëdhënia mes Xhulianos dhe Klajdit ishte shumë e fortë. “Nuk ishte vetëm vëllai im. Ai ishte edhe babai im. Ai ka punuar gjithmonë dhe vetëm për të më çuar në Itali, për një jetë më dinjitoze. Edhe kur fitonte 500 euro në muaj, sapo mbërriti në Itali, më ndau 300: për dokumentet e mia që të vija këtu të jetoja me të, në një apartament afër stacionit në Ankona. Ai u sakrifikua deri në pikën që më bëri të luaja në një ekip futbolli. Nuk më ka bërë kurrë të dëshiroj për asgjë”.