Në Fier për të vrarë “bosin”/ E vërtetuar se Albi Mecini ka lidhje me zhdukjen e dy të rinjve në Sarandë
Personi që shihni në foto është Albi Mecini, i cili u arrestua ditën e sotme nga Policia e Fierit teksa përgatitej të kryente një ngjarje të rëndë kriminale me lëndë plasëse.
Po ashtu Mecini akuzohet se së bashku me Sebastian Latajn janë të përfshirë në zhdukjen e Leonard Thodhorit dhe Fatmir Sulovarit në Sarandë.
Mecinit iu gjet në dy çanta rreth 21.3 kilogramë lëndë plasëse artizanale. Të dyja sasitë e lëndës plasëse ishin të montuara me celularë, gati për shpërthim në distancë dhe u gjetën në afërsi të automjetit të tij.
Dyshohet se i riu në bashkëpunim me Arafat Manërkolli banues në Dibër dhe Ervis Cukali banues në Tiranë, do të vrisnin një emër të njohur të botës së krimit në Fier. Për shkak të hetimeve nuk bëhet me dije se cila ishte “shënjestra” e atentatit.
29-vjeçarit dyshohet se ka “gisht” në zhdukjen e dy personave në Sarandë, pasi brenda një automjeti të sekuestruar, ku janë parë për herë të fundit Thodhori dhe Sulovari është gjetur material gjenetik ADN-je që i përket 29-vjeçarit, duke e implikuar kështu në këtë ngjarje.
I riu është i njohur në botën e krimit, pasi dyshohet se në 2013 së bashku me disa persona të tjerë kanë ndihmuar Admir Tafilin të arratiset nga burgu.
Kush është Admir Tafili
Tafili është drejtues i grupit kriminal që merret dhe u jep porosi pjesëtarëve të grupit të tij për të kryer vrasje kundrejt pagesave. Ata dyshohet se kanë marrë pjesë në disa ngjarje të rënda, duke kryer vrasje, vendosje të tritolit, gjobe vënie, trafik të lëndëve narkotike e kanosje.
Grupi e ka nisur me vrasjen e Ibrahim Manit në Shkodër dhe më pas ka vijuar me plagosjen e Edmond Cakmashit dhe Armando Cekës, ndërkohë kanë bërë plane për vrasjen e Leonard Murataj në Durrës dhe disa biznesmenëve të tjerë.
Admir Tafili është i dënuar për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj ish-shefit të Krimeve, Prel Pjetrushi. Admir Tafili dhe vëllai i tij Genci, ishin djemtë e peshkatarit Bahri Tafili. Në vitin 2000 policia e Shkodrës, nën drejtimin e drejtorit Arben Zylyftari shkoi në një operacion në lagjen Kiras për të arrestuar Bahri Tafilin që akuzohej për vrasjen e shtetasit Skënder Geci.
Në atë operacion u vranë si Bahri Tafili dhe po ashtu edhe drejtori i Policisë së Shkodrës, Komisar Arben Zylyftari, vrasje për të cilën u akuzuan gjithashtu të dy vëllezërit Tafili. Vetë familja Tafili disa herë ka akuzuar si autor të dy vrasjeve ish-shefin e krimeve të Shkodrës në atë kohë, Prel Pjetrushin.
Tafili në mars të 2011 vrau dy vëllezërit e Prel Pjetrushit, ndërsa muaj më vonë u arrestua. Në vitin 2013 me ndihmën e disa personave Tafili arrin të arratiset nga burgu i Drenovës, ndërsa tashmë ndodhet në burg.
Zhdukja e dy miqve në Sarandë
Albi Mëcini rezulton se është autor i dyshuar i zhdukjes së dy miqve në Sarandë, muaj më parë. Leonard Theodhori, i njohur dhe me nofkën “Koçolja” dhe Fatmir Krasniqi, alias Fatmir Sulovari ishin duke darkuar bashkë në Sarandë në majin Prill 2023, kur u zhdukën pa gjurmë.
Ata dyshohet se janë vrarë dhe groposur në një tokë në fshatin Vrinë, por pavarësisht se atje zbarkuan për disa ditë njësitë elitë të Policisë Shqiptare, përsëri nuk pati asnjë rezultat.
Ndërkohë, Policia e Fierit në njoftimin për shtyp për parandalimin e atentatit bën me dije se 29 vjeçari Albi Mëcini është dhe autor i dyshuar i zhdukjes së dy miqve nga Saranda. Nga hetimet në bashkëpunim me Strukturat hetimore të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale, ka dalë se i përfshirë në rrëmbimin dhe zhdukjen e Koçoles dhe Krasniqit është dhe shtetasi Sebastian Lataj.
“Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga Policia e Fierit, në bashkëpunim me Policinë e Vlorës, në funksion të një procedimi penal të iniciuar nga DVP Vlorë, për zhdukjen e shtetasve Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari, zhdukje e raportuar në Policinë e Sarandës, më datë 09.04.2023, rezultoi se shtetasi i arrestuar në flagrance, me çantat me lëndë plasëse, është autor i dyshuar për këtë rast, së bashku me shtetasin Sebastian Lataj, 25 vjeç, i cili u shpall në kërkim.
Për shtetasit Albi Mëcini dhe Sebastian Lataj ditën e sotme, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” .
Strukturat hetimore të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH dhe strukturat hetimore të dvp-ve Fier dhe Vlorë, në drejtimin e prokurorive përkatëse, vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të të dyja rasteve, kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këto 2 raste”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.