IuteCredit me buxhet marketingu 8.2 milionë euro në vit, 4 herë më shumë se fitimi
Tetë milionë euro ose rreth 10 miliardë lekë shpenzon kompania e mikrokredive IuteCredit për reklama dhe konsulencë. Kjo shifër e deklaruar nga vetë kompania është katër herë më e lartë se fitimi vjetor që ajo deklaron, duke nxjerr në pah një anomali të madhe financiare.
“Vitin e kaluar, IuteCredit Albania deklaroi në bilancin e saj zyrtar 8.2 milionë euro shpenzime për reklama si dhe marketing dhe konsulencë. Sipas pasqyrave financiare, kompania ka deklaruar përkatësisht 1 milionë euro si shpenzime për publicitet dhe reklama si dhe 7.2 milionë euro të tjera si shpenzime marketingu dhe konsulencë”,shkruan Oligarkia.al.
IuteCredit deklaron shpenzime marketingu dhe publiciteti gati 3 herë më të larta se kompanitë celulare, të cilat raportojnë nga 1.5 deri në 3 milionë euro në vit.
Nën mbulesën e mikrokreditit në Shqipëri është krijuar një skemë e mirëfilltë zhvatje që funksionin si fajde e legalizuar me ligj, e cila ngarkon interesa deri në 120 për qind mbi kreditë që jep për qytetarët. Janë të pafundme rastet e atyre që kanë përfunduar në polici e gjykatë.
Newsbomb.al ka trajtuar disa raste të kompanive të njohura të mikro-kredive, të cilat veprojnë në vendin tonë dhe shantazhojnë qytetarët duke i kërcënuar me sekuestrime pagash apo pronash për t’i detyruar të paguajnë borxhe të paqena apo që nuk korrespondojnë me shumën reale.
Ndryshe nga Shqipëria, ku askush nuk reagon edhe pse provat janë sheshit, Kosova i tregoi vendin IuteCredit.
Banka Qendrore e Kosovës i sekuestroi licensën IuteCredit dhe e dëboi nga vendi, për shkak të abuzimeve të shumta. Kompania e çoi çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë por humbi, ndërsa shqiptarëve të Kosovës u mbetën në xhep 30 milionë euro.
Për çfarë i paguan një kompani mikrokredie 8.2 milionë euro në vit për reklama dhe konsulencë? Oligarkia.al thotë se dy janë opsionet:
E para është që po zhvillon një fushatë agresive marketingu për të zgjeruar rrjetin dhe klientelën e saj. Pra po josh sa më shumë njerëz që të marrin borxhin e shtrenjtë që ajo ofron. Kjo mund të jetë ligjore, por a është e dëshirueshme për shoqërinë dhe interesin publik? Këtë përgjigje duhet ta japë Banka e Shqipërisë, që ka fshehur kokën si struci.
Opsioni i dytë është edhe më i lig. A mos vallë këto superbuxhete marketingu dhe konsulencë përdoren për të ndikuar median dhe vendimmarrjen publike. Të parëve që të heshtin, ndërsa të dytëve që të mbyllin sytë dhe të mos veprojnë. Ne këtë nuk e dimë. Por dimë me siguri diçka tjetër. Tek ky bilanci këtu, Tatimet i kanë mbyllur sytë. Ndërsa Banka e Shqipërisë ka kohë që është qërruar.