Sot, 6 vjet nga ndarja nga jeta e aktores së shquar të teatrit “Bylis”, Hajrie Rondo
Hajrie Rondo lindi më 1 mars të vitit 1951 në Delvinë ku edhe mori formimin bazë. Largohet në qytetin e Fierit ku pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve për aktore ajo do të emërohej pranë teatrit të këtij qyteti ku edhe do të zhvillonte karrierën e saj të gjatë.
Në karrierën e saj shumëvjeçare, artistja për shkak të talentit të saj të rrallë, arriti të lëvronte të gjitha zhanret e artit skenik. Gjithashtu artistja njihet edhe për një numër të konsiderueshëm të roleve të saj që i arriti në kinematografi. Edhe sot e kësaj dite artistja identifikohet me rolin e saj brilant që ka realizuar në filmin artistik “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër”, që tashmë ka zënë vend të rëndësishëm në historinë e kinemasë shqiptare.
Përveçse një aktore brilante, artistja ka mbajtur edhe funksionin e drejtoreshës së Teatrit të Fierit, që në periudhën kur ajo shërbeu u zhvilluan shumë aktivitete dhe festivale të rëndësishme.
Disa nga rolet e saj më të rëndësishëm janë:
Mara, “Vëllezër dhe shokë” 1980
Xifja, “Agimet e stinës së madhe” 1981
Lima, “Nëntori i dytë” 1982
Tana, “Përrallë nga e kaluara” 1987
“Pesha e kohës”, 1988
“Ne dhe Lenini” 2009
Semihaja, Ballkan Pazar 2011 dhe shumë e shumë role të tjerë.
Në maj 2015 Hajrie Rondo u rikthye sërish në skenë me shfaqjen “Seks vetëm për festa” dhe me filmin “Buka” interpretime të cilat i realizoi pas një pauze disavjeçare që ajo bëri, për shkak të një beteje me një sëmundje të rëndë. Ajo u nda nga jeta më 9 shtator 2017.