Ndezi zjarr dje në Fier dhe dogji 40 hektarë, arrestohet 68-vjeçari (EMRI)
Policia e Fierit ka vënë në pranga autorin e dyshuar të zjarrvënies dje në Cakran. 68-vjeçari, Ilirian Kafilaj ra në prangat e policisë ditën e sotme.
Në pyllin e fshatit Buzëmadh, Kafilaj ndezi një zjarr ku si pasojë u dogjën 40 hektarë me bimësi. Pas 10 orësh, shërbimet e zjarrfikësve në bashkëpunim me banorët e zonës bënë të mundur shuarjen e flakëve.
Për shkak edhe të erës që frynte, neutralizimi i zjarrit ka qenë i vështirë, ku u dogjën edhe 100 pemë ulliri në pronësi të disa banorëve të këtij fshati.
Njoftimi i Policisë:
Fier
Ndezi zjarr për hapjen e kullotave, në pyllin e fshatit Buzëmadh, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, për shkak të erës, u dogjën 40 hektarë me bimësi, falë reagimit të menjëhershëm dhe punës profesionale të shërbimeve të Policisë, identifikohet dhe arrestohet në flagrancë autori.
Ditën e djeshme, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një zjarr në masivin pyjor të fshatit Buzëmadh, Fier, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën dhe menjëherë kanë shkuar në këtë fshat, ku pas 10 orësh, në bashkëpunim me shërbimin zjarrfikës, kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit.
Në vijim të veprimeve hetimore për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore autorin e këtij rasti zjarrvënieje, bazuar dhe në inteligjencën informative, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin I. K., 68 vjeç, banues në Cakran, Fier.
Ky shtetas dyshohet se ka ndezur zjarr për hapjen e kullotave, në pyllin e fshatit Buzëmadh, dhe për shkak të erës që frynte, zjarri është përhapur dhe për pasojë janë djegur 40 hektarë tokë me bimësi të ndryshme dhe 100 pemë ulliri, në pronësi të disa banorëve të këtij fshati.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht, si dhe i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe procedimin penal të shtetasve përgjegjës.
#angazhimpërkushtimsakrificë👮️🚔
#tëvendosurkundërkrimit✅
#nëçdoskajtëvendit🇦🇱
#nëshërbimtëqytetarëve👮️🤝🙍️
#denonconë112📞 ✅