Arrestimi i Bozhanit, reagon ministri Taulant Balla: Do bëj gjithçka që një politikë e re penale të zërë vend
Menjëherë pas arrestimit të Klered Bozhanit, autorit të plagosjes së efektivit të “Shqiponjave” mbrëmjen e djeshme, ka qenë ministri i Brendshëm Taulant Balla që ka reaguar.
Balla ka përgëzuar efektivët e policisë që u angazhuan në këtë operacion për kapjen e 42-vjeçarit Bozhani. 600 forca policie morën pjesë në aksion për gati 24 orë në gjurmët e autorit të plagosjes.
Balla premton se do të bëjë gjithçka që të zërë vend një politikë e re penale duke kërkuar edhe ndihmën e sistemit të drejtësisë.
Postimi:
Përgëzoj Policinë e Shtetit për arrestimin e autorit të plagosjes së efektivit të shqiponjave mbrëmjen e djeshme në Tiranë.
Është momenti të kujtoj se kush nuk i bindet urdhërit/thirrjes së ligjshme të policit, ose më rëndë akoma e kundërshton me forcë, guxon ta fyejë, ta agresojë, ta kanosë, ta godasë apo larg qoftë t’i rrezikojë jetën në ushtrim të detyrës apo për shkak të detyrës, duhet ta ketë të qartë që toleranca do të jetë ZERO.
Do bëj gjithçka që një politikë/praktikë e re penale të zërë vend në këtë drejtim, duke kërkuar mbështetjen e sistemit të drejtësisë. Kuadri ligjor është aty në Kodin Penal (me ndryshimet që kam mbështetur vetë në Kuvend në vitin 2019) dhe në ligjin për Policinë Shtetit.