Flakët në Patos mbërrijnë shumë pranë nënstacionit, OSHEE: Stakohet energjia elektrike
OSHEE ka stakuar energjinë elektrike si masë e nevojshme paraprake për t’u siguruar nga flakët që janë afruar shumë pranë nënstacionit Patos.
Përmes një njoftimi, OSHEE shkruan se: “Për shkak të zjarrit shumë pranë Nënstacionit Patos, OSSH është detyruar të stakojë energjinë elektrike, si masë e nevojshme sigurie. Ndërkohë është njoftuar zjarrëfikësja.”
Qarku i Fierit është përfshirë nga 11 vatra zjarri këtë të shtunë, duke shënuar ditën më të vështirë sa i përket luftës me flakët për vitin 2023.
Ndërhyrja e forcave zjarrfikëse nga Fieri, Patosi, Rroskoveci, por edhe Dimal nuk ka mjaftuar për të shuar flakët që janë përhapur me shpejtësi nga era e fortë dhe pemët e pishave në pyll.
Aktualisht janë disa vatra aktive; Marinzë, Peshtan dhe Darëzezë. Ndërkohë vatra më problematike mbetet Darëzeza, ku pavarësisht se është kërkuar ndërhyrje nga ajëri, me errësirën e natës para, u bë e pamundur ndërhyrja.
Vatër zjarri problematike mbetet edhe ajo në Ndernënas të Libofshës ku flakët po i afrohen një stalle dhe shtëpive. Mësohet gjithashtu se vatra zjarri ka edhe në Patos ndërkohë që sipas informacioneve edhe në Drenovë Fushë në Mallakastër është aktivizuar një tjetër vatër zjarri.