Gjykata në Beograd e ka liruar Millan Radoiçiqin nga mbajtja, një ditë pas marrjes në pyetje, ka njoftuar Gjykata e Lartë në Beograd.
Gjyqtari i procedurës paraprake e ka refuzuar propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për caktimin e masës së paraburgimit për Radoiçiqin, pas intervistimit.
Prokuroria e ka kërkuar paraburgimin me arsyetimin e rrezikut të arratisjes.
Me vendimin e 4 tetorit, atij i është ndaluar largimi prej territorit të Serbisë, pa miratim të gjykatës dhe i është ndaluar të shkojë në territorin e Kosovës.
Sipas këtij vendimi, ai do të duhet të paraqitet në stacionin policor kompetent në datat 1 dhe 15 të çdo muaji.
Është thënë se atij i është konfiskuar përkohësisht dokumenti i udhëtimit, përkatësisht pasaporta e Republikës së Serbisë, dhe ai është paralajmëruar se mund t’i shqiptohet paraburgimi nëse i shkel të drejtat dhe detyrimet.