Urdhri i Stomatologëve shpall 6 tetorin ditë zie, reagon dhe doktori Roland Xhaxho: 3 vjeçari doli nga klinika ime zgjuar
Urdhri i Stomatologëve të Shqipërisë ka vendosur të shpallë datën 6 Tetor ditë zie, për të gjithë stomatologët, personelin ndihmës e asistentë në poliklinika e klinika dentare. Kjo, për shkak të vdekjes së 3 vjeçarit Braian Spahiu në Tiranë.
Njoftimin e bën presidenti i USSH-së, Nikoll Deda i cili gjithashtu u shpreh ngushëllime familjarëve për ndarjen nga jeta të më të shtrenjtit të tyre.
“Dentistria shqiptare në zi! Urdhri i Stomatologëve të Shqipërisë, shpall datën 6 Tetor 2023, ditë zie për të gjithë stomatologët, personelin ndihmës e asistentë në poliklinika e klinika dentare. Ditën e nesërme, dt.06.10.2023, ora 12.00, ju ftojmë të mbajmë 2 minuta heshtje “lutje” për voglushin, engjëllin e vogël 3 vjeçar, Braian Spahiu”, shkruan Deda.
Ndërkohë, këtë mbrëmje ka reaguar dhe vetë doktori Roland Xhaxho, i cili kreu ndërhyrjen në gojën e 3 vjeçarit. Ai thotë se vogëlushi Braian Spahiu ka lindur me defekt në zemër dhe prindërit e tij kanë firmosur konsensusin para operacionit.
Sipas doktorit Roland Xhaxho infeksioni i dhëmbëve që 3 vjeçari kishte duhej kuruar brenda një seance në mënyrë që të shmangej përhapja.
“Fëmija kreu në klinikë procedurat detare nën anestezi të përgjithshme ashtu siç ishim sqaruar me prindërit të cilët janë firmosur edhe konsensusin. Pse u zgjodh kjo mënyrë trajtimi? Sepse djali ka lindur me defekt në zemër për të cilin është operuar rreth 2 vite më parë.
Rekomandimi kryesor në këto raste është evitimi i çdo vatre infeksioni te këta fëmijë sepse shkakton infeksione të dhëmbëve të cilat në mënyrë absolute duheshin kuruar brenda një seance në mënyrë që të evitohej përhapja e infeksioneve. Djali ka dalë nga klinika i zgjuar në krahët e babait të tij”, ka thënë doktori.