Goditi me karrige mësuesen se i përmendi babain e vdekur, arrestohet adoleshenti
Policia ka arrestuar 16-vjeçarin, i cili goditi mësuesen me karrige në klasë pasi kjo e fundit dyshohet se i përmendi babain e vdekur dhe u zotua se do ta ngelte.
Adoleshenti akuzohet për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”.
“Në praninë e psikologut, prindit dhe mbrojtësit ligjor, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, bënë arrestimin e shtetasit G. P., 16 vjeç, banues në Lezhë, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”,”- raportojnë uniformat blu.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit të dhënë paraditen e sotme, sipas të cilit në ambientet e gjimnazit “Hydajet Lezha”, një 16-vjeçar kishte goditur me send të fortë (karrige), mësuesen M. P., ju informojmë se:
Në praninë e psikologut, prindit dhe mbrojtësit ligjor, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, bënë arrestimin e shtetasit G. P., 16 vjeç, banues në Lezhë, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Çndodhi në klasë
Ngjarja ndodhi në orën 10:30 minuta, të kësaj të mërkure (25 tetor) në ambientet e gjimnazit “Hydajet Lezhë” në Lezhë.
Mësohet se mësuesja e matematikës, Majlinda Palushi, pësoi lëndime serioze në krahun e saj nga goditja me karrige. Ajo u dërgua menjëherë në urgjencën e Spitalit Rajonal të Lezhës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Nga të dhënat paraprake të policisë bëhet me dije se nxënësi dhe mësuesja kishin bërë një debat fillimisht pasi mësuesja i kishte thënë që do ta ngelte në klasë.
Raportohet se mësuesja është betuar duke përmendur të atin e saj që nuk jeton më, ashtu si edhe babai i adoleshentit, gjë që besohet se ka nxitur dhe reagimin e dhunshëm.
“Betohem për kockat e babait tim që më ka vdekur dhe babait tënd që është aty tek i imi që do të të ngel”, është shprehur ajo sipas burimeve të Neës24. Pasi i ka përmendur babain që nuk jeton më, 16-vjeçari është rebeluar dhe ka marrë karrigen dhe goditur mësuesen para nxënësve të tjerë.
Sakaq, mësimi më pas është bojkotuar, ndërsa mësohet se Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar do të ndjekë rregulloren për rastin në fjalë duke ngritur një komision i cili do të marrë edhe masat e nevojshme.