Gazetari Adriatik Doçi: Ilir Meta do të arrestohet, prandaj është arratisur jashtë Shqipërisë!
Ilir Meta do të arrestohet. Kështu tha gazetari Adriatik Doçi në Shqip nga Dritan Hila në DritareTv. Zoti Doçi u shpreh se Meta është nën hetim nga SPAK për dy çështje, atë të CEZ-DIA dhe lobimit në SHBA. Dhe nisur nga akuzat e rënda që rëndojnë mbi të, shumë shpejt do të lëshohet një masë arrest me burg ndaj Metës, thotë gazetari. Por sipas gazetarit, Meta ose është fshehur në Shqipëri, ose është arratisur jashtë Shqipërisë për t’i shpëtuar veprimit të drejtësisë.
“Ka dy muaj që Ilir Meta është distancuar nga Sali Berisha. Ndoshta duke shpresuar për një lloj amnistie siç mund të ketë ndodhur në të kaluarën. Janë dy dosje në SPAK për Ilir Metën dhe që janë gati për masë sigurie. Njëra është për çështjen CEZ-DIA ku dyshohet se Ilir Meta është pronari faktik dhe bosi i madh i kësaj afere. Dhe dosja e dytë që është më flagrantja e mundshme, është për çështjen e lobimit në SHBA.
Janë përdorur për lobim qindra, mijëra euro, në total 1.2 milion dollarë për lobim në SHBA, para që nuk janë deklaruar në Shqipëri, as në KQZ dhe as në ILDKPI. Institucionet amerikane kanë konfirmuar lome fletëporosi që Meta, bashkë me Kryemadhin, Petrit Vasilin dhe kupolën e LSI-së kanë shpenzuar qindra mijëra dollarë në SHBA për lobim. Për Ilir Metën mund të ketë një masë arresti me burg. Duke ditur akuzat e SPAK-ut, fletëporositë nga Amerika, kam dyshime se Ilir Meta do të largohet nga Shqipëria për t’iu shmangur drejtësisë siç bëri aleati i tij Arben Ahmetaj. Ndryshe nga Berisha dhe Ahmetaj që kishin imunitet ndaj arrestimin, Meta nuk ka imunitet dhe mund të ndodhë ndonjë arrestim i befasishëm.
Dyshohet se Meta ose është fshehur në Shqipëri ose në Gjermani. Ose mund të jetë larguar në një vend tjetër, pranë Gjermanisë, aty ky është Gruevski. Sepse para ca kohësh bëri një vizitë të mistershme 3 ditore në Hungari dhe mund të jetë larguar për t’iu shmangur veprimit të drejtësisë. Sepse janë akuza të rënda ato që rëndojnë ndaj Metës, janë akuza për pastrim parash, ku parashikohen minimalisht 15 vjet burg.”, tha gazetari Adriatik Doçi në DritareTv./K.C/dritare.net