U thirr në SPAK për ujësjellësin e Ferit, Zeqo: Tenderin e bëri Berisha
Ish-kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo, dy ditë më parë (13 nëntor) u paraqit pranë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në një deklaratë për mediat Zeqo ka sqaruar se nuk u thirr në SPAK për të dëshmuar për Inceneratorin, ashtu si dhe u përfol, por për ujësjellësin e qytetit.
Ish-kryebashkiaku theksoi se procedurat në atë kohë nuk i bënte pushteti vendor, por bordi i vendosur nga qeveria asoj kohe e drejtuar nga Sali Berisha.
“Kam deklaruar çfarë kam ditur unë lidhur me një çështje për ujësjellësin e Fierit. Pra, është një çështje e hapur përpara disa muajsh, por po ritheksoj edhe njëherë që Ujësjellësi nuk ka qenë në varësi të kryetarit ka qenë një vendim i këshillit të Ministrave në kohën e Berishës, që ndërtohej një bord dhe bordi zgjidhte drejtorin. Ishte jashtë çdo lloj influence të kryetarit, të paktën juridike, por edhe morale kështu ishte sepse ijësjellësi në atë kohë zgjidhte vetë drejtorin, merrte vetë vendimet”, tha Zeqo, duke kaluar kështu përgjegjësinë te qeveria e asoj kohe.
Ndër të tjera, ai tha se mediat e kanë konsideruar thirrjen e tij në SPAK si dëshmi për kërkesën e Ahmetajt për të takuar Mirel Mërtirin.
“Gabimisht pastaj është bërë lidhja. Që meqënëse mua Ahmetaj më ka dërguar një mesazh dhe bashkë me mesazhin është përmendur Mertiri dhe meqënëse Mërtiri ka marrë tenderin e 5 milionë euro që ishin këto sahatët matës, lidhet pastaj edhe me kryetarin. Nuk ka ndonjë lidhje, nuk ka absolutisht asgjë”, shtoi ai.