FOTO: Ngjarja e rëndë e 22 nëntorit ’89: Si u kthye një aksion humanitar, në një tragjedi me 23 të vdekur
Fotot e nëntorit 1989, një nga helikopterët e rrëzuar
22 nëntor 1989… Helikopteri MI-4 koduar me shifrën “650” ishte ngritur në ajër me urgjencë pas alarmit se diku në Qafën e Llogorasë, një autobus me studentë kishte përfunduar në humnerë. Dy pilotët dhe tekniku, së bashku me një ekip mjekësh e ndihmësmjekësh, të gatshëm për të kryer një mision humanitar në shpëtim të jetëve të tyre, u nisën rrëmbimthi nga pista e regjimentit të Farkës edhe pse parametrat e kohës nuk tregonin asgjë optimale.
E ndërsa bazamenti prej betoni zvogëlohej rrufeshëm, secili prej tyre mendonte se vetëm disa orë më vonë, kur gjithçka do të përfundonte, helikopteri me flatrat e mëdha do të ulej përsëri aty, dhe ata do të mund të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre me gjysmën e shpirtit të lehtësuar, se në fund të fundit kishin shpëtuar disa jetë njerëzore. Koha ishte e keqe binte shi dhe vetëtimat shkarkonin masa elektrike në ajër.
Sinan Çela, Komandanti i Regjimentit udhëhiqte operacionin nga kulla e komandimit deri në çastin kur lidhja u shkëput. Pas kësaj heshtja ishte e plotë. Duhet të ketë qenë ora 17:55 minuta kur helikopteri i parë ra në shpatin e Karaburunit. Vetëm gjashtë apo shtatë minuta më pas diku në Vunoi helikopteri i dytë do të rrëzohej gjithashtu tragjikisht. Në regjimentin 4040 dhe në gjithë zonën e Farkës lajmi do të përhapej me shpejtësi.