Përfundojnë hetimet, SPAK çon në Gjykatë Safet Gjicin dhe Alma Kaçin
Prokuroria e Posaçme në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit ka kryer hetime në kuadrin e proçedimit penal nr. 145, viti 2023, për veprat penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal dhe “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuar nga neni 245 i K. Penal.
Në përfundim të hetimeve paraprake Prokuroria e Posaçme, ka vendosur t’i drejtohet me kërkesë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për dërgimin e çështjes në gjyq, në ngarkim të të pandehurve:
1. Safet Gjici, me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale Kryetar i Bashkisë Kukës, i akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuara nga neni 260 i K. Penal, hetuar me masën e sigurisë “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale (ekzekutuar në datë 24.06.2023).
2. Alma Kaçi, e akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuar nga neni 245 i K. Penal, hetuar me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale (ekzekutuar në datë 24.06.2023).
Në përfundim të hetimeve paraprake të këtij procedimi penal, janë përftuar prova dhe të dhëna nga analizimi i të cilave ka rezultuar se e pandehura Alma Kaçi, është personi që i ka ofruar/dhënë përfitime të parregullta të pandehurit Safet Gjici, me detyrë Kryetar i Bashkisë Kukës dhe se ky i fundit pasi ka përfituar prej saj përfitimin e parregullt, në formën e favorit seksual, ka premtuar/pranuar ta ndihmojë me projektin e saj të mbrojtjes së qenve dhe ta paraqiste më tej në mbledhje të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Kukës.