Kush e ka radhën, europol i dorëzon shqipërisë listën e policëve me SKY e EncroChat
Rastet kur zyrtarë apo ish-zyrtarë të policisë kanë rezultuar të përfshirë në ngjarje kriminale janë shtuar së fundmi.
Kujtojmë që më 21 nëntor 2021 u finalizuar operacioni “Metamorfoza 2”, i cili goditi një grup kriminal. Mes 11 persinave të përfshirë ishte edhe Erzen Breçani, ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës dhe shefi i krimeve në Komisariatin numër 6, Dedan Gjoni.
Arrestimet e tyre kanë ardhur pas zbardhjes së komunikimeve në “SkyECC” në vitet 2019-2020 në Francë dhe Belgjikë me ndihmën e ndërkombëtarëve.
Referuar statistikave, policë të arrestuar ka pasur më shumë në periudhën janar-nëntor 2022. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka vënë në pranga 134 efektivë vitin e shkuar, në raport me 69 që janë arrestuar deri tani.
Sipas SPAK në hetim janë një numër i konsiderueshëm policësh të tjerë, për të cilët shumë shpejt nuk do të kursehen sërish prangat. E vetmja pyetje që ka mbetur është: Kush e ka radhën?
Për këtë çështje Europol ka organizuar një takim pak javë më parë një takim me përfaqësues të SPAK dhe Ministrisë së Brendshme, ku janë ndarë shqetësime dhe informacione në lidhje me punonjës të policisë shqiptare që kanë rezultuar përdorues të platformave të koduara dhe të implikuar në bashkëpunim me grupet kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë, në disa vende të BE-së. Të dhënat e marra nga Europol me sa duket janë kthyer menjëherë në çështje penale në Shqipëri, pasi edhe zv/ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, konfirmoi se arrestime të tjera do të ketë në radhët e policisë.
“Kjo nuk do të thotë që në nivel policor në të mos bëjmë punën tonë. Ne do të ezaurojmë çdo mjet, çdo mundësi të mundshme për të lidhur ura komunikimi, për të ndjekur, gjetur dhe arrestuar dhe vënë para përgjegjësisë penale çdo kënd, i cili i ka llogaritë e hapura me shtetin shqiptar”, tha Zv/ministri i Brendshëm Besfort Lamallari.
Ministri i Brendshëm tha të premten, teksa prezantonte drejtuesin e ri të AMP-së, Florian Sulejmani, se të gjithë efektivët e policisë do të duhet të plotësojnë një formular ku të deklarojnë nëse kanë përdorur “SkyECC” apo “Encrochat” dhe nëse rezultojnë të tillë, do të mbajnë përgjegjësi. Një tjetër formë për t’iu shmangur filtrit është edhe ulja nga detyrat drejtuese, e cila i shmang nga vetting-u. Por, Balla bëri me dije se kush shmang vetting-un do të largohet menjëherë nga Policia.