Gazeta Italiane: Greqia bllokon Shqipërinë për shkak të Çamërisë! Ja pse duhet të flasim për persekutimin e shqiptarëve
Çamëria
Një nga arsyet e bllokimit që Greqia i bën Shqipërisë, është edhe çështja e Çamërisë, kështu thuhet në një artikull të gazetës italiane “ilriformista.it”.
Teksa bëhet një pasqyrë e shkurtër historike e asaj që ndodhi në Çamëri, gazeta italiane thotë se është e rëndësishme të flitet gjithjë e më tepër për atë që në të vërtetë ndodhi, që ishte persekutimi dhe shpërngulja masive e shqiptarëve nga ushtria greke.
Në vitin 1940 Greqia vendosi ligjin e luftës me Shqipërinë, ligj që e ka në fuqi ende sot, nënvizohet në artikull, teksa theksohet fakti se Athina zyrtare nuk njeh asnjë minoritet etnik apo linguistik.
Megjithatë, sipas artikullit, në rajonin e Çamërisë, jetojnë ende rreth 40 mijë çemër ortodoksë.
“Çameria është një nga rajonet e shumta të të Ballkanit me një pakicë dhe një histori komplekse që ndikon në marrëdhëniet dypalëshe midis shteteve.
Historia dhe kultura e saj duhet të hulumtohen në thellësi për të zgjidhur tensionet politikisht. Në fakt, diversiteti kulturor dhe pakicat janë një pasuri dhe një karakteristikë themelore e Ballkanit. Por kjo pasuri duhet të përdoret pozitivisht, në mënyrë gjithëpërfshirëse, jo të shfrytëzohet për të ndarë. Bashkimi Evropian mund të ndihmojë në mbrojtjen e tij”, përfundon artikulli i gazetës italiane.