Mbahet sot seanca e ish-kryeministrit Sali Berisha, gjykata pritet të vendosë për masën e arrestit/ Avokatët mbrojtës nuk paraqitën asnjë kërkesë
Sot në orën 12 do të mbahet seanca e radhës ku gjykata pritet të vendosë për masën e arrestit për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Pas tre seancash ku u dëgjuan të gjithë, SPAK që kërkon arrest shtëpiak dhe avokatët që kërkojnë refuzim të prokurorisë, gjykata nuk mundi të shpallë një vendim ndaj Berishës dy ditë më parë.
Gjatë së enjtes avokatët e Berishës kanë dhënë prova të tjera dhe kanë kërkuar një CD për të marrë të gjithë debatin gjyqësor. Në seancën në dyer të mbyllura, u tha se Berisha nuk ka pasur asnjë tentativë për tu larguar, prandaj kjo kërkesë duhet të kundërshtohet.
Megjithëse Gjykata e Posaçme shtyu seancën për ish-kryeministrin Sali Berisha, avokatët të cilët kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, nuk kanë dërguar asnjë shkresë zyrtare.
“Në vijim të interesit të shfaqur nga gazetarët Ju bëjmë me dije se deri në orën 16.00, në sekretarin e gjykatës nuk është paraqitur kërkesë me shkrim e avokateve të shtetasit Sali Berisha për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka! Duke Ju falënderuar për bashkëpunimin”, thuhet në njoftimin e bërë më parë nga GJKKO.
SPAK ka kërkuar që ish-kryeministri Sali Berisha të marrë masën “arrest në shtëpi” në adresën e deklaruar, gjatë së cilës je nën mbikëqyrjen e policisë dhe të ndalohet të komunikosh me të tjerët.