Ekzekutimi i 23-vjeçarit në Vlorë/ Detaje, si u krye atentati mafioz në ballkon! Viktima kishte ardhur nga Belgjika! Historia e babait të njohur si ‘buzëderri’
Një atentat i mirë organizuar i mori jetën 23-vjeçarit Gëzim Sinomataj mbrëmjen e djeshme, teksa po qëndronte në ballkonin e banesës së tij në Vlorë.
I kthyer pak ditë më parë nga Belgjika për të festuar Vitin e Ri pranë familjes, 23-vjeçari u qëllua me snajper nga persona ende të paidentifikuar, duke ndërruar jetë në vend. Autorët u larguan nga vendi i ngjarjës, ndihmuar edhe nga errësira, dhe dogjën automjetin tip “BMW” me të cilin dyshohet se kryen krimin. Automjeti u gjet nga policia duke u djegur në lagjen “24 Maji”.
Emri i tij, veçanërisht mbiemri është i njohur për drejtësinë. Para disa kohësh i është vendosur dhe tritol në afërsi te banesës së tij.
23-vjeçari Gëzim Sinomataj është djali i Sokol Sinomataj i cili njihet me nofkën “buzëderri”. Ai u arratis nga burgu i Peqinit në vitin 2017, pasi kishte marrë leje në burgun e Peqinit dhe nuk u kthye më.
Shpallja e tij në kërkim me kartele jeshile rezulton të jetë kryer në datë 12 shtator 2017. Menjëherë, sapo doli nga burgu, ai mori të vëllain Bernardin dhe djalin adoleshent asokohe dhe u largua nga Shqipëria. Dyshohet se u vendosën në Belgjikë. Në vitin kur ai u arratis, Sokol Sinomataj vazhdonte të vuante dënimin per vrasjen e Elton Tatos dhe plagosjen e Robert Borakut, ngjarje që sipas vendimit të gjykatës së Vlorës ka ndodhur në qershor të vitit 2002.
Por ai njihet gjithashtu si ushtar i grupit të Gaxhait tregojnë kartelat e policisë Sokol Sinomati dhe Armando Sulejmani (Cipuri) pavarësisht se u gjetën fajtorë nga shkalla e parë e krimeve të rënda për pjesëmarrje në bandën e armatosur të Gazmir Brakës( Gaxhai), gjykata e lartë në vendimin Nr.48 i shpalli fajtorë vetëm për vjedhje me dhunë.
Kjo mund të jetë pista e parë për vrasjen e djeshme në Vlorë, por do të jenë hetimet që mund të nxjerrin në dritë të tjera pista.