Çifti në takimin e parë, mbyten në liqen pas aksidentit në vendndodhjen romantike në Itali
Morgan Algeri e Tiziana Tozzo kishin shijuar një darkë në takimin e tyre të parë së bashku pranë liqenit Como në veri të Italisë, kur tragjikisht ranë në ujë me makinë dhe humbën jetën. Dëshmitarët kishin parë Algeri e Tozzo duke biseduar para se të ngjiteshin në automjetin e tyre tip fuoristradë që pak vonë në mënyrë të pashpjegueshme ra në liqen mbrëmjen e të shtunës.
Mercedes-i kishte rrëzuar barrierat para vendparkimit dhe dyshja humbën jetën të bllokuar brenda makinës. Trupi i Algeri, 38 vjeç, dhe i 45 vjeçares Tozzo, u rekuperuan më vonë nga zhytësit e policisë. Ende nuk dihet saktësisht ajo që ka ndodhur teksa zyrtarët presin rezultatet e autopsisë. Policia tha se po mban “një mendje të hapur” pas rasteve të ngjashme të aksidenteve prej humbjes së ndjenjave të shoferëve.
Algeri kishte marrë drejtimin e makinës në zonën piktoreske Viale Geno, pasi e kishte parkuar disa metra larg ujit, por çuditërisht makina përfundoi në liqenin i cili është rreth 20 metra i thellë në atë pikë. Dy fëmijë që ishin në zonë në momentin e incidentit kanë dhënë vetëm detaje të zbehta për policinë.
Ata thanë se dyshja po bisedonin para se të ngjiteshin në makinë, ku Algeri mori drejtimin. Motra e Morgan tha se viktima kishte blerë makinën disa muaj më parë dhe nuk kishte pasur probleme teknike. Tiziana, e cila la pas djalin e saj 14-vjeçar, ishte njohur një muaj më parë me Morgan, i cili ishte pilot dhe instruktor fluturimi në shkollën Brembate di Sotto. Tiziana punonte në një fabrikë ushqimesh në Cermenate dhe jetonte me djalin e saj adoleshent pas divorcit nga babai i tij.
“Ai ishte si vëllai im, më ka lënë një boshllëk të madh,” tha Alessio Pengue, mik i ngushtë i Morgan, ndërsa të njohurit e Tiziana e përshkruanin si një “grua e fortë e zemërmirë që kujdesej për djalin e saj”.
Dyshja kishin ngrënë darkën në restorantin Capiago Intimiano para tragjedisë. Makina e tyre u nxorr dje nga uji dhe po analizohet, por deri tani nuk shihet asnjë anomali, tha policia për tragjedinë e mistershme.