Del pas 8 orësh nga SPAK, Beqaj: Prokurorët më konfirmuan se…
Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka dalë pas 8 orësh nga SPAK ku u pyet nga prokurorët në lidhje me çështjen e sterilizimit që po hetohet.
Në dalje, Beqaj tha për gazetarët se çështja është komplekse dhe seancat e marrjes në pyetje do të vazhdojnë ditë të tjera.
“Janë disa seanca të gjata pyetjesh që do të thotë që çështja është komplekse, është e gjerë. Edhe sot nuk përfunduam seancat e pyetjeve, do të vazhdojmë edhe në ditët e tjera sidomos kur të kemi të plota edhe materialet e KLSH sepse pikënisja e atyre çfarë pretendohet në masën e sigurisë ndaj meje janë raportet e KLSH. Gjithashtu besoj se hetimet me sa kemi parë deri tani janë ende shumë të ngushta, është e domosdoshme që të shtrihen në 2 pjesë. Së pari, nga Marsi 2011 deri në Shtator 2013 për të hetuar tashmë pse 2 vjet e gjysmë u mbajt në qese ai central dhe nuk u vu asnjëherë në punë. Por edhe tashmë janë bërë 8 vjet nga zbatimi i kontratës për të hetuar kush janë përfitimet e drejtpërdrejta të qytetarëve dhe buxhetit të shtetit nga zbatimi i kësaj kontrate. Sot gjithashtu me prokurorët komunikuam dhe më konfirmuan që do kem së shpejti ato sende që u sekuestruan në 28 Dhjetor por që lidhen me vazhdimin e hetimit për sterilizimin. Dy dokumentet e udhëtimit jashtë shtetit që sot i mora dhe faktin që pasi të përfundojnë këto inspektimet elektronike të marra në shtëpi, do të kthehen. Besoj se ajo që është e rëndësishme sot u sqarua dhe fakti që gazi dhe aneksi 8 kanë lidhje sterilizimi dhe s’kanë asnjë lidhje me çështjen tjetër”, tha ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.
Ky i fundit është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për dosjen e e koncensionit të sterilizimit dhe dyshohet për shpërdorim detyre. Ndaj tij ka masë sigurie detyrim paraqitje.
Sot ishte hera e tretë që Beqaj u pyet nga SPAK. Ai u paraqit në Prokurori që prej orës 09:00 nën praninë e avokatit. Megjithatë, aktualisht ndaj Beqaj është në fuqi masa “detyrim paraqitje”. Çdo të premte, ai duhet të paraqitet në 15:30 para oficerit të BKH-së.
Për të njëjtën dosje, në burg ndodhet ish-zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj dhe biznesmeni që fitoi koncensionin, Ilir Rrapaj.