Hoteli i ndërtuesit të vrarë në Vlorë, do pushojnë policët e Shqipërisë dhe Kosovës
10 vite pas vrasjes së ndërtuesit Isuf Brahimaj në mes të Vlorës, hoteli i tij shumëkatësh në vendin e njohur si “Kalaja” i ka kaluar shtetit dhe do të përdoret për pushime dhe trajnime nga efektivët e Policisë së Shqipërisë dhe Kosovës, shkruan newsbomb.al.
Isuf Brahimaj dhe familja e tij njiheshin si persona me influencë në qytetin bregdetar dhe u kishin shpëtuar tre atentateve. Fatkeqësisht, më datë 28 gusht 2014 në rrugën “Transballkanike” ka ndodhur dhe atentati i katërt ku Isuf Brahimaj mbeti viktimë.
Ministrat Taulant Balla dhe Xhelal Sveçla kanë qenë sot në zonën Ujit të Ftohtë dhe kanë parë nga afër hotelin shumëkatësh. Një vit pas vdekjes së ndërtuesit, Prokuroria e Vlorës e sekuestroi objektin dhe tashmë ai i ka kaluar në pronësi shtetit.
“Kemi marrë vendimin që pasuritë e konfiskuara në luftën kundër krimit dhe korrupsionit të vendosen në përdorim të institucioneve shtetërore. Bashkë me Ministrin e Brendshëm të Kosovës Xhelal Sveçla ishim në Vlorë ku shumë shpejt do të kemi një shtëpi të madhe pushimi dhe trajnimi për forcat e policisë”, shkruan Balla, duke ndarë dhe pamje nga vizita në ambientet e hotelit.
Newsbomb.al mëson se bëhet fjalë për më shumë se3.089 m2 ndërtim dhe 2.500 m2 truall që pas këqyrjes paraprake do të merret në dorë nga arkitektë të autorizuar, për të parë hapësirat e brendshme dhe mundësinë e shfrytëzimit maksimal të tyre.
Po ashtu, mësohet se 20% të investimeve që kanë mbetur për tu kryer në këtë objekt buzë detit të kristaltë të Jonit do të kryhen nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë dhe Ministria e Brendshme e Kosovës.
Kjo, pasi në këtë hotel shumëkatësh dhe që ofron pamje spektakolare nga deti, do të pushojnë se bashku efektivë nga Kosova dhe efektivë nga Shqipëria. Siç mëson newsbomb.al, në truallin e lirë prej 2.500 m2 do të ndërtohen dhe hapësira për trajnimin e tyre.
Në vitin 2017, në përfundim të procesit gjyqësor Gjykata për Krime të Rënda pranoi kërkesën e Prokurorisë për Krime të Rënda dhe vendosi konfiskimin e: Objekt truall me sip.parcele ndërtimore 2500 m2, lagja “Uji i Ftohtë” Vlorë, me pronar Shpëtim Brahimaj dhe Objekti ndërtesë pesë kate me sip.totale 3089 m2, lagja “Uji i i ftohtë” Vlorë, i regjistruar në emër të shtetasit Shpëtim Brahimaj.
Vrasja me tritol e Isuf Brahimaj, ditën që do inaguronte hotelin
Pronari i hotelit shumëkatësh që ka kaluar sot me vendim gjykate në pronësi të shtetit shqiptar, është vrarë me tritol mëngjesin e 28 gushtit 2014. Ndërtuesi i njohur vlonjat ishte duke lëvizur me një mjet fuoristradë “Mitsubishi” me targa AA848JX kur ka shpërthyer në rrugën “Trasballkanike”, pranë rreth rrotullimit në sheshin “Omonia”.
Shoferi Isuf Brahimaj ka gjetur vdekjen e menjëhershme dhe trupi i tij është ndarë në disa pjesë nga fuqia e madhe e shpërthimit, ndërsa pasagjerja 19 vjeçare që ndodhej në makinë, është gjetur 10 metra larg mjetit. Fatmirësisht, Ornela Gjini mundi të shpëtonte edhe përse kishte djegie të mëdha në trup.
Isuf Brahimaj, në atë kohë 42 vjeç, po përgatitej të inauguronte dhe hotelin që u sekuestrua më pas nga Policia e Vlorës me kërkesë të Prokurorisë dhe sot pas 10 vitesh ka kaluar në pronësi të shtetit. Vrasja e tij erdhi në vazhdën e tre atentateve të mëparshme ndaj familjes.
“Më datë 10.04.2015 nga Policia e Vlorës në bashkëpunim me Prokurorinë Vlorë në kuadër të hetimeve disa mujore është bërë e mundur sekuestroja preventive e një godine shumëkatëshe destinuar si hotel në zonën e Ujit të Ftohtë Vlorë, në afërsi të vendit të quajtur “Kalaja” në pronësi të shtetasve E. B., dhe Sh. B., të dy banues në Vlorë.
Sekuestroja e kësaj godine u krye pasi dyshohet se është produkt i të ardhurave nga veprimtari kriminale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, në vendet e Bashkimit Europian. Vlera e godinës sipas vlerësimit të normave zyrtare në fuqi arrin 1.5 milionë euro”, njoftoi Policia e Vlorës në vitin 2015.