U vra në burgun e Peqinit, familja refuzon të tërheqë trupin e Arben Lleshit, të burgosurin përjetë do ta varrosë bashkia
Instituti i Mjekësisë Ligjore i kërkon prokurorisë së Elbasanit leje për të varrosur Arben Lleshin të dënuarin me burgim të përjetshëm, i cili u ekzekutua javë më parë në qelinë e tij në burgun e sigurisë së lartë në Peqin nga Sokol Mjacaj.
Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare pranë Morgut të Tiranës, të cilat sqarojnë se trupi i pajetë i viktimës nuk u tërhoq nga familjarë apo të afërm, të cilët e kanë braktisur për shkak të frikës së vijimit të sagës se hakmarrjes. Ndaj në këto kushte, sipas ligjit IML i është drejtuar prokurorisë me kërkese me leje për të vijuar procedurat për varrimin.
Zyrtarisht prokuroria e Elbasanit e kontaktuar nga News 24 tha se do ta miratojë lejen dhe më pas është drejtoria përkatëse pranë Bashkisë që kryen varrimin e Arben Lleshit. Arben Lleshi u qëllua për vdekje brenda burgut nga Sokol Mjacaj një tjetër i dënuar me burg përjetë. Po ashtu i plagosur mbeti Indrit Shaqja.
Hetuesit dyshojnë që Mjacaj ka vepruar dhe vrarë bashkëvuajtësin kundrejt pagesës, por nuk ka mundur ende të identifikojë urdhëruesit. Mjacaj ka dhënë disa dëshmi para hetuesve, por këta të fundit thonë se ai jep alibi jo të besueshme, por po i keqorienton në pistat e hetimit. Viktima Arben Lleshi ishte dënuar përjetësisht për vrasjen dhe më pas djegien e Agim Hoxhës në Britaninë e Madhe në 2012.
Pas kësaj ngjarje, familja Lleshi humbi dhe 4 pjesëtarë. Dy xhaxhallarët e Arben Lleshit, Xhavit e Hajredin Lleshi u ekzekutuan përkatësisht në 2013 dhe 2016. Ndërsa u zhdukën dy djemtë e xhaxhallarëve të tij, Artan e Klevis Lleshi, fati i të cilëve edhe sot nuk dihet.