Kryebashkiaku Subashi: Synojmë të bëjmë një paketë të vetme turistike. Fieri, mund të jetë një Amerikë e vogël
Kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri”, ka deklaruar se synimi i tij për 2024-ën dhe vitet e ardhshme, është hartimi i një pakete të vetme për turizmin. Në këtë kuadër, ai sqaroi se veç turizmi arkeologjik, fetar, kulturor, synohet edhe zhvillimi i turizmit bregdetar.
“Apolonia është nga destinacionet kryesore të turizmit në Shqipëri. Duam që rreth Apolonisë të ndërtohet gjithë pjesa tjetër.
Kemi një vijë bregdetare prej 27 km. Për fat të mirë është e gjitha e virgjër, i ka shpëtuar çmendurisë së asaj që ka ndodhur në gjithë këto vite ne bregdetin shqiptar. Po punojmë që përmes një masterplani të bëjmë gjënë e duhur. Synojmë të bëjmë një paketë të vetme turistike, ku veç turizmi arkeologjik, fetar, kulturor, të zhvillojmë dhe turizmin bregdetar
Fieri ka përparësitë e veta në zhvillimin ekonomik, por kur vjen pjesa të turizmi, ndoshta kemi çaluar pak dhe këtu duhet të bëjmë më shumë”, tha Subashi.
Duke u ndalur te zhvillimi që ka pësuar Fieri përgjatë viteve, kryebashkiaku deklaroi se ky qytet mund të jetë një Amerikë e vogël.
“Fieri është qyteti i ëndrrave, se po të shohësh zhvillimin që ka pësuar, në këtë sens Fieri mund të jetë një Amerikë e vogël.
Përbërja e popullsisë së Fierit është pothuajse si një Shqipëri e vogël. Këtu gjen të gjitha komunitetet dhe kanë ardhur në Fier në periudha të ndryshme të historinë, janë integruar, janë përparuar. Kush vjen në Fier dhe e mbështet suksesin e vet te aftësitë dhe puna, normalisht Fieri mund t’i plotësojë ëndrrat që mund të ketë”, shtoi ai.
Sa i përket marrëdhënieve me kryeministrin Edi Rama, Subashi tha se janë korrekte.
“Kur ka ndonjë problem për të sqaruar merr, është komunikim shumë korrekt. Pyet, merr përgjigjet, diskutojmë. Jemi shumë OK.
Fakti që Fieri ka pasur goxha mbështetje dhe janë financuar të gjitha projektet e çuara është tregues shumë pozitiv”, tha Subashi.