“Fieri, kategori e parë”. Sotiraq Kokuri kujton kohët e arta të Apolonisë: Gjakoseshin për ne, sot s’ka tifozëri
“Futbolli për Fierin ishte një çështje dinjiteti, nuk pranonim të ishim inferior karshi qyteteve të tjera”.
Kohët e arta të Apolonisë janë ende të ngulitura në memorien e Sotiraq Kokurit, i cilësuar si legjenda e Fierit.
E kujton me nostalgji atë periudhë ku i dha sportit gjithçka, e në këmbim mori duartrokitje, brohorima dhe vlerësime që ngritën lart ekipin fierak.
Kam luajtur pa shkëputje në vitet ‘82-’91. Kam qenë mesfushor me tipare sulmuese. Mënyra si luaja, aftësitë që kisha, ndihmonin ekipin që loja të ishte më konkretizuese.
Fierin e gjeta në Kategori të Dytë, arritje e madhe ishte që dolëm në Kategori të Parë në vitet ’84-’85. Rezultati më i lartë në kohën time ishte që u rreshtuam në vendin e tretë dhe morëm vlerësim për të luajtur në UEFA”, tregon Kokuri për emisionin “Një nga ne” në Report Tv.
Në ato vite, ishte e vështirë të gjeje bileta për ndeshjen. Ato ‘avullonin’ që në ditën e parë, ndaj tifozët mezi prisnin pas kangjellave që të shikonin ekipin e zemrës.
“Dikur mbushej stadium plot, sot nuk e shikon atë tifozeri. Mbase kohët kanë ndryshuar, mbase njerëzit janë bërë më të ftohtë dhe largohen. Mbaj mend që nuk kishte vende në stadium. Njerëzit gjakoseshin nëpër pemë, prisnin që të hapej porta në pjesën e dytë. Jemi krenar që njerëzit ‘vriteshin’ për të parë ekipin tonë.”, tregon 64 vjeçari.
Vazhdon të stërvitet edhe sot e kësaj dite pasi sipas tij pasioni nuk vdes pavarësisht moshës. Vitet e demokracisë e bënë të emigrojë në Greqi e Itali.
Ëndrra u ndërpre në mes, por u rikthye sërish në vendlindje me një synim: Eksperiencën e tij kërkon ta përçojë tek të rinjtë.