Blindohet Tirana, Antony Blinken vjen sot në Shqipëri, ja rrugët e bllokuara
Sot 15 shkurt vjen në Shqipëri në një vizitë zyrtare sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken. Blinken pritet që të mbërrijë në Tiranë në orën 11.00.
Ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani, do të presë Blinkenin në Aeroportin “Nënë Tereza”, ku do t’i urojë dhe mirëseardhjen në tokën shqiptare.
Me të mbërritur në Tiranë sekretari amerikan i shtetit do të ndalojë në ambasadën amerikane në Shqipëri, ku do të ketë një takim me punonjësit e saj për të shprehur vlerësimin për punën e bërë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në axhendën zyrtare të Antony Blinken, parashikohet një takim me presidentin Bajram Begaj dhe më pas një ndalesë te piramida e Tiranës, ku do të takojë rreth 100 të rinj të cilët kanë pasur mundësi që nëpërmjet studimeve apo programeve të shkëmbimit të përjetojnë eksperiencën amerikane.
Rreth orës 16:00 pritet të nisë takimi me kryeministrin Edi Rama dhe më pas edhe një konferencë e përbashkët për mediat e tyre në ambientet e kryeministrisë. Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Mattheë Miller në një konferencë për mediat në Uashignton ritheksoi se qëllimi i vizitës së Sekretarit Blinken është konfirmimi i marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzitojnë mes dy vendeve.
E teksa pritet që zyrtari i lartë amerikan të prekë tokën shqiptare, kryeqyteti i Tiranës po përgatitet për ta mirëpritur.
Me rastin e ardhjes së Blinken në Tiranë Policia e Shtetit ka vendosur një sërë masash për garantmin e e sigurisë gjatë vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetit, z. Antony Blinken.
Mesohet se rreth 1 mijë e 500 efektivë do të angazhohen në total për mbarëvajtjen e masave të sigurisë gjatë vizitës së Blinken, nga ku rreth 400 efektivë do të jenë të Gardës dhe pjesa tjetër nga policia e shtetit, rendi, një grup i Shqiponjave, një i FNSH (400) e një i RENEA (100) do të angazhohen për të gjitha aktivitetet, që nga mbërritja në Rinas deri te shoqërimi në ambientet e kryeministrisë, edhe Antiterrori do të jetë i angazhuar.
Masat e ndërmarra dhe kufizimet para dhe gjatë vizitës janë si vijon:
Ndalim parkimi:
Duke filluar nga ora 19:30 e datës 14.02.2024 deri në orën 20.00 të datës 15.02.2024, në rrugët “Faik Konica”, “Dervish Hima”, “Ismail Qemali” (para Kryesisë së Kuvendit), “Gjergj Filipi”, “Lek Dukagjini”, Rruga e Elbasanit, “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Bajram Curri”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, si dhe rruga “Ukraina e Lirë” (Gjykata Kushtetuese), do të ndalohet parkimi i mjeteve në rrugë dhe në hapësirat e caktuara për parkim.
Ndalim qarkullimI:
Në fashat orare 09:30-12.30 dhe 17:30-20.00, të datës 15.02.2024, do të ndalohet qarkullimi në rrugët si më poshtë:
- Interurbane dytësore Fushë Prezë-Rinas;
2. Interurbane dytësore Rinas-Qafë Kashar dhe anasjelltas;
3. Interurbane kryesore Qafë Kashar – ish-sheshi Shqiponja dhe anasjelltas;
4. Interurbane kryesore ish-sheshi Shqiponja-Teg-Sanatorium dhe anasjelltas;
5. Rruga e Elbasanit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Faik Konica”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Themistokli Germenji”, rruga “Abdyl Frashëri”, rruga “Ukraina e Lirë”, rruga “Gjergj Filipi”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe bulevardi “Bajram Curri”.
Rrugë alternative
Qytetarët që duan të shkojnë në aeroportin “Nënë Tereza”, më datë 15.02.2024, nga Durrësi dhe veriu, do të ndjekin përkatësisht drejtimin Vorë-Fushë Prezë-Rinas dhe kthim, Fushë Krujë-Fushë Prezë-Rinas dhe kthim, ndërsa nga juglindja dhe Tirana, do të ndjekin unazën lindore-Farmacia 10-Stacioni i Trenit-Bulevardi i Ri-Paskuqan-Kamëz -Valias-Aeroporti i Rinasit, dhe kthimi në të njejtin itenerar.
Për emergjencat mjekësore që mund të afektohen në oraret e bllokimet, të ndiqen rrugët dytësore dhe të tjera, në drejtim të spitaleve perkatëse, të ndryshme nga ato që do të përshkohen nga delegacioni amerikan.
Policia e Shtetit kërkon mirekuptimin e të gjithë qytetarëve për masat e sigurisë dhe apelon për të shmangur qarkullimin me mjete rrugore në oraret dhe rrugët ku parashikohen kufizimet e levizjes, për qëllime sigurie.
Kjo do të jetë vizita e parë e sekretarit amerikan në Shqipëri, që prej vitit 2021 kur ai mori postin për drejtimin e diplomacisë amerikan.
Vitin e kaluar, sekretari Blinken komentoi me nota të larta pozitive rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në OKB.
Antony Blinken shpalli në vitin 2021 non grata në SHBA ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili aktualisht është në arrest shtëpie nën akuzën e korrupsionit pasiv lidhur me aferën e ish-kompleksit Partizani.
Vizita e parë e një sekretari amerikan shteti në vendin tonë ishte ajo e James Baker, në Tiranë më 22 qershor 1991. Ndërsa e dyta vizitë e një tjetër sekretari amerikan shteti ishte ajo e Madeleine Albright, më 19 shkurt 2000, ku mbajti edhe një fjalë në parlamentin shqiptar. Pasuar nga një tjetër vizitë e John Kerry, më 14 shkurt 2016.