“M’u errësuan sytë kur më shau”/ Zbardhet dëshmia e vrasësit të fqinjit në Durrës: U zumë për..
Ilir Koçilja, 35-vjeçari që një ditë më parë vrau fqinjin e tij Halil Koka, pas një debati për parkimin ka treguar si ndodhi ngjarja e rëndë.
Duke folur para hetuesve, ai ka treguar se me Kokën kanë patur debate të shumta për parkimin pasi sipas tij, Koka e linte makinën te hyrja e pallatit. Ai ka pranuar se ia ka gërvishtur makinën me thikë disa herë Kokës dhe se kur dje debatuan, Koka e kishte kërcënuar se do ta vriste dhe do e fuste në bagazh.
“Me Halilin ishim fqinj. Nuk shkonim mirë me njëri-tjetrin. Ai linte makinën te hyrja e pallatit. I kisha thënë disa herë që mos ta linte aty se pengonte qytetarët që të kalonin për të shkuar në shtëpi. Kur i thashë mos e lër më makinën aty, ai më ofendoi. S’i ktheva përgjigje. Kur dola ditën tjetër e pashë makinën, po prapë të parkuar aty. Nga inati, ia gërvishta me thikë në pjesën e derës se pasagjerit dhe ika. Prapë ditën tjetër e kishte lënë aty dhe unë prapë ia gërvishta”.
Ndërsa për ngjarjen e rëndë të ditës së djeshme, ai ka thënë se viktima e shau dhe në një moment iu errësuan sytë dhe e goditi me thikë”.
“Erdhi më kapi një ditë dhe më tha ti e ke gervishtur makinën time . Po i thashë “unë ta gërvishta”. Mos e lër më aty i thashë. Aty debatuam, kush je ti, kush jam unë. Nisi të më kërcënonte. Do të vras, do të fus në bagazh. Unë e kisha thikën me vete. E pashë që doli nga lagjia në rrugë kryesore. Iu afrova dhe i thashë “ti do më marrësh zvarrë mua dhe do më futesh ne bagazh”. Ai më shau. Aty m’u errësuan sytë dhe e qëllova me thikë. Më pas u largova dhe u fsheva për disa orë te lagja 11 deri sa më kapet ju. Nuk e dija se kishte vdekur. Mendova se e plagosa. Nuk kam asnjë konflikt tjetër me atë. As i kisha borxh para dhe as më kishte. Me vjen shumë keq për ate që ndodhi, jam penduar. Po konfliktin e nisi Halili”.