U ekzekutua në sy të motrës, zbardhen mesazhet, shqiptari e dinte që do vritej
Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga ngjarja e regjistruar mëngjesin e së martës në qendër të Tvarit, në Mal të Zi, ku shqiptari Edmond Mustafa u ekzekutua me breshëri plumbash para syve të motrës.
Dje, rreth orës 09:20, në qendër të Tivarit, Mustafa, i cili konsiderohej si një person i afërt me klanin mafioz Skaljar, u ekzekutua, ndërsa pak orë më vonë ra në prangat e Policisë Dino Ibrahimoviqin, i cili konsiderohet të jetë pjesëtar i të njëjtit grup kriminal.
Sipas asaj që mediat malazeze kanë raportuar që prej ditës së djeshme, autori i vrasjes, i maskuar, iu afrua të riut shqiptar nga mbrapa, teksa ai po shkonte drejt veturës së tij së bashku me të motrën. Vrasësi ka qëlluar me dhjetëra të shtëna, e më pas është larguar me vrap.
Ndërkohë, nga të dhënat e fundit, thuhet se Mustafa dhe Ibrahimoviqi, kanë qenë pjesë e klanit Skaljar. Viktima dhe autori i dyshuar për vrasje, thuhet se kanë qenë të afërt me njëri-tjetrin, madje kanë qenë dhe shokë. Dyshohet, se i riu shqiptar u vu në shënjestër për shkak të lidhjes intime që kishte me gruan e shokut të tij, ku ky i fundit, Zijad Nurkoviq, u ekzekutua në Spanjë në vitin 2019.
Sipas asaj që mediat e huaja raportojnë, Mustafa i druhej vrasjes së tij dhe këtë e kanë vërtetuar së fundmi dhe mesazhet që i janë zbuluar në telefon, në aplikacionin “Sky Ecc”.
“Doni të më vrisni, duan ‘Kavçanët’, njerëzit e mi duan të më vrasin tani që jam në lidhje me gruan e Zijadit”, ka shkruar më herët 29-vjeçari shqiptar.
Gjithashtu në dosje thuhet se Mustafa prishi marrëdhëniet me bashkëpuntorët e tij të grupit kriminal, pasi pas vrasjes së Nurkoviq më 20 prill të 2019, ai nisi marrëdhënie intime me të venë e tij, Vasilisa Nurkoviq.
Vasilisa Nurkoviq më herët postonte në llogarinë e saj në “Instagram” foto me bashkëshortin e saj të ndjerë, Zijadinin, mirëpo gjatë kohëve të fundit ajo postonte foto me partnerin e saj të ri, të cilit ja fshihte gjithmonë fytyrën. Gjithashtu , influencuesja publikonte shpesh foto të dhuratave të shtrenjta që merrte, si dhe kishte postuar dhe unazën që Mustafa dyshohet se i kishte dhuruar.
Shqiptari Edmond Mustafa është marrë në pyetje më 27 mars 2022 në ambjentet e Departamentit Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë malazez, shkruajnë mediat malazeze.
Pasi është shoqëruar në departamentin e Krimeve, Edmond Mustafa ka pranuar të jetë bashkëpunëtori i drejtësisë malazeze duke ndihmuar në zbardhjen e disa vrasjeve të kryera.
Mustafa deklaroi vullnetarisht gjithçka që dinte për veprat kriminale të kryera nga organizata kriminale së cilës i përkiste, si dhe informacionet që kishte për autorët dhe motivet e veprave të mëposhtme kriminale:
– Vrasja e Srgjan Vllahoviqit, e kryer më 10 prill 2016 në Kotorr;
– Vrasja e Tomašević Bozhidar, e kryer më 6 gusht 2016 në Tivar;
– Vrasja e Vukoslavčević Željko, e kryer më 8 shtator 2016 në Tivar;
– Vrasja e Ivan Laban, e kryer më 31 tetor 2016 në Tivar;
– Vrasja e Sllobodan Sharanoviqit, e kryer më 11 mars 2017 në Budva;
– Vrasja e Marko Jovanoviqit, i cili, sipas Mustafës, u vra pasi kishte kryer një vrasje të dyfishtë në Podgoricë, dhe më pas trupi i tij ishte hedhur fshehurazi në një nga gropat në zonën e komunës së Tivarit;
– Vrasja e Jovan Klisiqit, e kryer më 1 nëntor 2019 në Tivar;
– Zhdukja e Filip Marjanoviqit dhe Vukashin Gošoviqit, shtetas të Republikës së Serbisë, të cilët, sipas Mustafa, u rrëmbyen, u torturuan, u morën në pyetje dhe përfundimisht u vranë në komunën e Danilovgradit;
– Zhdukja dhe vrasja e Sjeklloq Markos, të cilit sipas Mustafës i është hequr jeta, pas së cilës trupi i tij është fshehur në një vend të panjohur për të në zonën e komunës së Tivarit”, thuhet në procesverbali i bërë gjatë intervistës së anëtarëve të Departamentit për Ndalimin e Krimeve të Rënda i Administratës Policore të Malit të Zi.
Edhe pse Mustafa pranoi përpara autoriteteve policore bashkëpunimin e tij në disa vrasje dhe nxori emrat e autorëve ai nuk u arrestua kurrë dhe nuk iu dha statusi që kërkonte.
Deklaratën në polici në vitin 2022 ai e kishte kërkuar vetë, pasi i tha Departamentit të Krimeve të Rënda se siguria e tij ishte në rrezik. Mustafa pretendoi se ishte kërcënuar nga anëtar të grupit kriminal “Barska” (degë e klanit Skaljar).