Zbulohet arsyeja e vrasjes së Pëllumb Metës nga fëmijët, plani që kishte thurrur djali
Hetuesit në Durrës po kalojnë në sitë të imët të gjithë elementët e vrasjes nga fëmijet së Pëllumb Metës në shënavlash, për të zbuluar motivet e vrasjes. News24 mësoi nga burime konfidenciale se një pistë e fortë është ajo e konflikteve pasurore për tokën, ku personazh kyç është djali i madh i Pëllumbit, Hyseni. Pëllumbi kishte rreth 12 dynym tokë. Gjatë kontrolleve në banesë policia nuk i ka gjetur këto dokumente, të cilat i mbante djali i madh, që i kishte premtuar motrës që me lekët e tokës do ta nxirrte nga burgu. Për më shumë ndiqni dokumentarin e realizuar nga gazetari Igli Çelmeta.
DURRËS – Pëllumb Meta me origjinë nga fshati Shemëri i Krujës lindi në Shënavlash të Durrësit më 8 qershor të vitit 1974, aty ky prindërit e tij Hamid dhe Fatime ishin shpërngulur prej kohësh nga Kruja.
Mes jetës së emigracionit dhe Shqipërisë, Pëllumbi pas vdekjes së nënës së tij vendosi të kthehej përfundimisht në Shqipëri, ku ishte bërë edhe baba i 4 fëmijëve, 2 vajzave dhe 2 djemve. Familjarët e Pëllumbit pretendojnë se që prej vdekjes së nënës së tyre nuk kanë pasur komunikim me bashkëshorten e tij, Blerinën, e cila kishte distancuar edhe fëmijët nga familjarët e Pëllumbit, me të cilët prej vitesh nuk flisnin.
Përtej këtij fakti, Pëllumbi nisi t’i përkushtohej familjes në vendlindjen e tij pas kthimit nga Italia. Ai nisi punën si roje në Shënavlash te tregu i makinave, punë që e bëri deri në ditën e fundit të jetës për rreth 23 vite, deri në 10 shkurt të vitit 2024.
10 shkurti i 2024-ës ishte edhe fundi i jetës së Pëllumb Metës, i cili ekzekutohet nga familjarët e tij. Një krim i rëndë i cili tronditi edhe më shumë opinionin publik sesi 4 familjarë, 3 fëmijët dhe nëna u bënë bashkë për të eleminuar kryefamiljarin e tyre dhe e varrosën në kasollen e bagëtive.
Sipas hetuesve, i gjithë plani i këtij krimi horror ishte i parapërgatitur deri në detaje. Por si u zbulua e vërteta dhe si nisi policia hetimet deri në zbardhjen e ketij krimi monstruoz?
Shefi i seksionit te hetimit të krimeve ndaj personit në Policinë e Durrësit, Ruzhdi Domi, i cili ka hetuar rastin që kur mbërriti kallëzimi në polici deri në zbardhjen e ngjarjes, shpjegon se si policia ra në gjurmët e së vërtetës.
Sipas grupit hetimor, fëmijët kishin realizuar të gjithë planin e fshehjes së krimit me detaje, nga largimi i makinës së të ndjerit, varrimi dhe fshehja e armës, të cilën sipas policisë dyshohet se e zotëronte i biri i viktimës, Hyseni. Ajo që i bëri më shumë përshtypje policisë në këtë krim ishte edhe qetësia e femijëve dhe bashkëshortes së Pëllumbit pas ngjarjes.
Fëmijët dhe nëna e tyre sipas grupit hetimor kanë dhënë deklarata kontradiktore për autorësinë e krimit, por në bazë të hetimeve të deritanishme policia deklaron se autor i qitjes së armës është djali i madh i Pëllumbit, Hyseni, i cili ka bashkëpunuar me motrën Hygertën. Hetuesit kanë bërë prova në poligon qitje me armë për të provuar nëse Hygerta di të përdorë armën.
Grupi hetimor të gjithë anëtarët e familjes po i heton si pjesëmarrës në krim, edhe pse bashkëshortja e Pëllumbit është poceduar në gjendje të lirë. Vëllai i Pëllumbit, Ramazani hedh akuza ndaj gruas së vëllait të tij.
Nga ana ligjore, policia e ka zbardhur ngjarjen ku kemi 3 anëtarë të familjes të arrestuar dhe një nën hetim, por cili ishte motivi i vërtetë i kësaj ngjarje kaq të rëndë, saqë bëri bashkë të gjithë fëmijët të vrisnin babanë tyre. Grupi hetimor po heton për motivin e ngjarjes, edhe pse shprehen të rezervuar për shkak të sekretit hetimor. Pista e fejesës së Hygertës se Pëllumbi donte ta fejonte pa dëshirë dhe dhuna në familje apo inçesti janë përjashtuar nga hetuesit. Hygerta iu nënshtrua edhe analizave gjinekologjike, ku vërtetua që nuk kemi të bëjmë me abuzim seksual.
News24 mëson nga burime konfidenciale se një pistë e fortë është ajo e konflikteve pasurore për tokën, ku personazh kyç është djali i madh i Pëllumbit, Hyseni. Pëllumbi kishte në zotërim rreth 12 dynym tokë, të cilën e kishte edhe me dokumente të rregullta. Po ashtu Neës24 mëson se gjatë kontrolleve në banesë policia nuk i ka gjetur këto dokumente, madje në shtëpinë e të ndjerit nuk janë gjetur as para.
News24 mëson së këto dokumente të tokës i mbante gjithmonë me vete Hyseni, kudo që ai shkonte. Këtë informacion e disponon edhe grupi hetimor. Hetuesit po vijojnë kërkimet dhe ende nuk janë gjetur këto dokumente, madje dyshohet edhe për bashkëpunëtorë të jashtëm, që mund të kenë ndihmuar djalin e të ndjerit.
Neës24 shkoi te pronat e Pëllumb Metës, i cili tokat i kishte në dy parcela, një para banesës, ndërsa tjetrën rreth 2 km larg në një zonë industriale, tokë e cila ishte nxjerrë edhe në shitje. Metri i tokës sipas vëllait të të ndjerit kushton deri në 50 euro, ku në total tokat e Pëllumbit vlenin deri në 500 mijë euro.
Sakaq, një mbishkrim i çuditshëm është vënë re nga hetuesit edhe në murin e kasolles ku fëmijët varrosën të atin. Në mur shkruhet “Eni milioneri, 1 milionë dollar”. Djalin e madh të Pëllumbit Hysenin e thërrisnin shkurt Eni.
Në dëshmitë e tyre fëmijët deklarojnë se konfliktet familjare kanë qenë të vazhdueshme në familje me babanë, konflikti i fundit ishte i Hysenit me të ndjerin, ku Hyseni i kërkonte të atit që t’i blinte një makinë, edhe pse ishte i papunë dhe sapo ishte kthyer nga Italia.
Hyseni kishte qenë më parë emigrant në Angli ku kishte qëndruar edhe në kamp, në një nga kampet ku kanë humbur jetën dhe janë keqatrajuar shumë emigrantë shqiptarë. Në Angli nuk dihet puna që ka kryer Hyseni, por më pas ai kishte shkuar në Itali, ku edhe atje nuk kishte punuar dhe më pas u kthye në Shqipëri. 12 ditë pas kthimit ndodhi edhe krimi, ku fëmijët vranë babanë e tyre. Hetuesit kanë sekuestruar të gjitha telefonat celularë të fëmijëve të të ndjerit dhe ka dyshime se krimi është planifikuar nga fëmijët, përkatësisht nga Hygerta dhe Hyseni dhe ky i fundit u kthye në Shqipëri për të realizuar planin.
Por, pse fëmijët kishin kaq shumë urrejtje ndaj babait të tyre së bashku me nënën dhe u bënë bashkë në këtë krim? Burime konfidenciale i thanë News24 se hetuesit po hetojnë edhe një lidhje të dyshuar jashtëmartesore të viktimës prej vitesh, ku dyshohet se në dijeni ishin edhe bashkëshortja e Pëllumbit dhe fëmijët dhe ky shkak mund të ketë çuar në konfliktet të vazhdueshme familjare dhe se ka qenë bashkëshortja që mund t’i ketë rritur fëmijët me një urrejtje ndaj të atit, aq sa u bënë të gjithë bashkë për të vrarë atë.
Burime të besueshme i thanë News24 se ka prova ku Hyseni i thotë motrës që ta marrë ajo përsipër krimin sepse ky i fundit do të shesë tokën dhe do ta nxjerrë nga burgu. Po ashtu edhe motra e madhe Bedra, e cila ishte e fejuar dhe u lejua nga xhaxhai të merrte pjesë në varrimin e babait, është larguar nga burri dhe ka shkuar te nëna e saj Blerina, e cila po qëndron të prindërit e saj.
Gjatë realizimit të këtij dokumentari, kontaktuam edhe babanë e Blerinës, zotin Baftjar Togun, për të marrë edhe versionin e Blerinës dhe të vajzës së madhe për ngjarjen, por babai i Blerinës tha se vajza e tij nuk do që të flasë më në media. Vëllai i Pëllumbit i tronditur nga ngjarja kërkon të dijë shkakun e vërtetë të ngjarjes dhe i bën apel drejtësisë që t’i shkojë çështjes deri në fund.
Faktet dhe informacionet që u dhanë në këtë dokumentar u bazuan në informacione të cilat janë në dosjen e thelluar hetimore, por janë autoritetet ata që thonë fjalën e fundit. Grupi hetimor shprehet se janë drejt zbardhjes së motivit të ngjarjes.
(BalkanWeb)