Rama premton: Në qershor ulet tatimfitimi për pagat e larta, paketë të re për agroturizmin
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se qeveria do të ulë tatimin mbi fitimin për pagat e larta në muajin qershor.
“Kemi një projekt nga qershori do ta materializojmë për të ulur tatimfitimin e të ardhurave për ata që kanë pagat më të larta si punonjës.
Një nga arsyet është se nuk mund t’i vëmë ne më shumë taksa njerëzve nëse nuk i japim shërbime më të mira. Për këtë nivel shërbimesh sot për sot nuk mund të pretendojmë të vëmë më shumë taksa”, tha Rama gjatë bisedës me disa përfaqësues të agroturizmit në vend në episodin e 9-të të sezonit të 3-të të PodKastit FLASIM, drejtuar nga vet ai.
Kryeministri informoi edhe se po përgatitet një paketë e re stimuluese për të gjithë ata që do të rikthehen për të investuar në agroturizëm.
“Kemi kohë që nuk rrisim taksat. Po përgatisim një paketë të re për të gjithë ata që kthehen të investojnë në agroturizëm që do të jetë edhe më lehtësuese se ajo që kemi sot, sepse agroturizmi është fantastik”, tha Rama.