Repaj falënderon tifozët e Apolonisë për mbështetjen: Ja çelësi i suksesit të golit ndaj Korabit
Serjan Repaj rikthehet po aq i fortë sa më parë. Pas një dëmtimi që e la jashtë fushave për më shumë se tri javë, mbrojtësi po gjen formën optimale dhe këtë e tregoi ndaj Korabit, ku shënoi edhe golin e barazimit në “frymën e fundit” të takimit.
Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” para ndeshjes, shkodrani parandiente që do të shënonte ndaj dibranëve. Repaj dje rrëfeu për gazetën emocionet kur i gjithë stadiumi po thërriste emrin e tij në kor. “ Më kishte munguar fusha e lojës dhe ndihem shumë mirë për rikthimin tim me gol. Normalisht që jam më i motivuar se kurrë për pjesën e mbetur të sezonit, pasi jam në ritmin e duhur dhe do të punoj fort për të kapur formën maksimale.
Gjithmonë jam munduar të jap më të mirën për Apoloninë. Dëmtimin e kam kaluar dhe jam gati. Shpresoj të vazhdoj në këto ritme dhe t’i shërbej Apolonisë për objektivin”, u shpreh fillimisht Repaj. Sa i përket sfidës me Korbin dhe golin që shënoi, mbrojtësi shkodran u shpreh: “Kisha shumë besim që do të barazonim, pasi edhe ndjesia për të shënuar nuk më mungonte. Çelësi i suksesit ishte pozicionimi im si sulmues qendre në minutat shtesë dhe kështu arrita të finalizoja me sukses.
Ishte një gol me mjaft vlerë, veçanërisht për nga mënyra se si shkoi ndeshja. Dedikimi? Golin ua dedikoj familjarëve të mi, në veçanti babait, i cili është shtysa më e madhe në karrierën time futbollistike. Padyshim që golat janë dedikim edhe për shokët e skuadrës, miqtë dhe tifozët. Sinqerisht, më shumë kënaqësi, emocion dhe adrenalinë më dhanë thirrjet e tifozëve se sa vetë goli i shënuar në shtesë. Tifozët fierakë janë futbolldashës dhe falënderoj shumë dhe u jam mirënjohës për gjithçka. E kam ndjerë mikpritjen dhe mbështetjen e tyre që kur kam ardhur në Fier”.