Sa herë shënon, fierakët fitojnë. Omeri: Apolonia i ka mundësitë edhe për vendin e katërt
Nga Hilmi Saliu/ Sa herë Stefano Omeri shënon, Apolonia thuajse merr tri pikët. Kjo ka ndodhur në tri nga katër realizimet e mesfushorit me tipare sulmuese. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, 24-vjeçari pohon se skuadra deri në fund do të tentojë të “bezdisë” Flamurtarin dhe Vorën.
Mendoj se kemi pasur qasjen e duhur në fushë. Nuk u demoralizuam për asnjë moment. Dhamë gjithçka në fushë dhe kishim bindje që do ta kthenim rezultatin. Një pjesë e dytë shumë e mirë, vumë në presion kundërshtarin dhe shfrytëzuam më së miri kundërsulme. Treguam se kemi shumë cilësi e potencial dhe e bëmë më së miri në këtë ndeshje.
Apolonia vuajti shumë përballë Tomorit, pse ndodhi kjo?
Goditja e parë psikologjike ishte pësimi i shpejtë i golit dhe më pas Tomori u mbyll i gjithi në mbrojtje. Patëm pak hapësira dhe kjo na e bëri më të vështirë lojën. Nuk ka skuadra të “lehta”, pasi këto kundërshtarë për dy rezultate në transfertë.
Sa i lumtur është Stefano Omeri me golin e shënuar kundër Tomorit?
Jam shumë i lumtur me golin e shënuar në minutën e fundit, por më e rëndësishmja është se ai i solli fitoren ekipit. Më vjen mirë sesa herë shënoj, Apolonia merr tri pikët në fund. Golin ia dedikoj familjes sime, që është motivimi im më i madh për të ecur përpara.
Kohë për pushim nuk ka, të dielën luani me Flamurtarin…
Pas fitores me Tomorin vëmendja është spostuar te Flamurtari. Jemi të ndërgjegjshëm që na pret një ndeshje shumë e vështirë, me një rival që është më lart në renditje. Do i kushtojmë shumë rëndësi, por është një takim si të gjithë të tjerët dhe do të shkojmë atje për të bërë më së miri lojën tonë. Të jemi të përqendruar për një rezultat pozitiv.
Janë edhe 7 javë nga fundi i kampionatit dhe për ne tani vjen pjesa më delikate. Synimi është që të vijojmë me ecurinë që kemi pasur, pasi kështu jemi të sigurt në rrugën drejt objektivave. Duhet t’i marrim ndeshjet me radhë dhe të arrijmë qëllimin. I kemi kushtet, mundësitë dhe cilësitë për vendin e katërt, pse jo edhe të tretët.