Transportin kallashnikov për t’i shitur në Sarandë, arrestohen dy të rinj
Dy persona përfunduan në prangat e policisë së Sarandës pasi transportonin armë automatike kallashnikov. Operacioni i koduar “Strike 8”, duke prangosur shtetasit E. M., 34 vjeç si dhe E. Sh., 31 vjeç.
Njoftimi:
Sarandë/Vijojnë puna e inteligjencës policore dhe kontrollet intensive të shërbimeve, për të garantuar sundimin e ligjit në territor.
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Sarandë, operacioni policor i koduar “Strike 8”, për goditjen e një rasti të tentativës për të shitur armë zjarri.
U kap në flagrancë me armë zjarri kallashnikov, të cilën dyshohet se do ta shiste në qytetin e Sarandës, vihet në pranga 34-vjeçari.
Vihet në pranga dhe një 31-vjeçar, i cili dyshohet se do të ndihmonte 34-vjeçarin, për të shitur armën.
Sekuestrohen arma e zjarrit kallashnikov, 1 krehër me municion luftarak dhe 2 automjetet e këtyre shtetasve.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e mbajtjes pa leje të armëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Strike 8”.
Si rezultat i këtij operacioni, u kapën në flagrancë, në vende të ndryshme, në fshatin Berdenesh, dhe u vunë në pranga shtetasit:
E. M., 34 vjeç, banues në Sarandë, pasi gjatë kontrollit në automjetin tip “Audi”, që ai drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri kallashnikov dhe 1 krehër me municion luftarak, të cilat dyshohet se ky shtetas do t’i shiste në qytetin e Sarandës;
E. Sh., 31 vjeç, banues në Sarandë, pasi nga veprimet hetimore dyshohet se do të ndihmonte shtetasin E. M., për të shitur armën e zjarrit. Ky shtetas është kapur nga shërbimet e Policisë ndërkohë që drejtonte një automjet tip “Ford”.
Arma e zjarrit kallashnikov, 1 krehër me municion luftarak dhe 2 automjetet e shtetasve të arrestuar, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.