BSH: Paraja në qarkullim u rrit me 6.8 miliardë lekë gjatë 2023-it
Banka e Shqipërisë bën të ditur se në tremujorin e katërt të vitit 2023 ka ndërhyrë në tregun e parasë përmes operacioneve të tregut të hapur për injektim likuiditeti.
Sipas njoftimit të BSH-së, në total gjatë vitit 2023, paraja në qarkullim është rritur me një shumë afër 6.8 miliardë lekë, kundrejt rreth 23 miliardë lekëve në dy vitet e mëparshme.
Në funksion të operacioneve për administrimin e likuiditetit të sistemit bankar, Banka e Shqipërisë, ka përdorur instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor për mesatarisht 59.4%, kundrejt 64% – 68% në 9 muajt e parë të vitit.
Në ndryshim nga nëntë muajt e parë të vitit, ku fokusi i operacioneve ka qenë targetimi i një likuiditeti më të lartë në kushtet e përqendrimit të mungesës në banka me mundësi të kufizuara financimi dhe presionit në normat e kërkuara në injektimet e Bankës së Shqipërisë, përpjekjet janë drejtuar drejt krijimit të hapësirave për përdorim më të madh të tregut ndërbankar si formë financimi kundrejt financimit në operacionet e Bankës së Shqipërisë.
Ky ndryshim u konsiderua i favorshëm në përgatitjen e bankave për ulje të shumave të injektuara nga Banka e Shqipërisë, duke parë hapësirat e mëdha të MFE për të shpenzuar në ditët e fundit të vitit 2023 dhe javët e para të muajit janar për efekt të buxhetit të vitit 2023. Si rezultat, u vu re rritje graduale e raportit të mbulimit të ankandeve dhe paralelisht me të, rritje e vëllimeve të tregtimit për shkak të zhvendosjes së kërkesës në tregun ndërbankar, por edhe të rritjes së presionit për përdorimin e kredisë njëditore.
“Gjatë 3-mujorit të katërt të vitit 2023, Banka e Shqipërisë ka zhvilluar katër ankande për blerjen e valutës. Në ankandet e zhvilluara janë blerë 66 milionë euro, shifër kjo pothuajse e njëjtë me atë të blerë në tremujorin e mëparshëm në 5 ankande. Gjatë vitit 2023, nëpërmjet blerjes së valutës nga ankandet, janë injektuar në sistemin bankar 25.1 miliardë lekë”, bën të ditur Banka e Shqipërisë.