Shfrytëzonte nipin 10-vjeçar për klikime në Tik Tok, Gjykata e Beratit lë në burg Natasha Rombulën dhe djalin e saj
Pasi Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Beratit, për 67-vjeçaren Natasha Rombula, avokatët e saj kërkuan pranë Gjykatës së shkallës së parë të Juridiksionit Berat rivlerësim të masës, masë që u krye ditën e sotme.
Pretendimi i avokatëve në lidhje me rivlerësimin e masës për Natashën e Tik-Tikut kishte të bënte me moshën e saj dhe faktin se vetë ajo ka deklaruar se duhet të kujdeset për motrën e sëmurë.
Me gjithë pretendimet e avokatëve, gjyqtarja Ardiola Çela ka lënë sërish në fuqi kërkesën e prokurorisë, nduke vlerësuar “të ligjshëm” arrestimin e saj dhe duke lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”.
Natasha Rombula u arrestua së bashku me djalin e saj Armando Kumaraku dhe të dy akuzohen për kryerjen e veprës penale “Keqtrajtimi i të miturit”, kryer në bashkëpunim.
Arrestimi i tyre erdhi pas denoncimit të ish-bashkëshortes së Kumarakut,për disa video të shpërndara në rrjetin social Tik Tok, ku duket gjyshja dhe djali që mësojnë nipin 10-vjeç të shajë me fjalë banale, për të përfituar vlera monetare.