Rënia e euros/ Këmbehet me 100 lekë, goditja më e madhe që nga korriku i vitit të kaluar
Që nga data 23 prill, 1 euro po këmbehet mesatarisht në nivelin e 100 lekëve. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se monedha evropiane është në pikën më të ulët në historikun e këmbimit që nga korriku i vitit të kaluar, atëherë kur ishte edhe piku i sezonit turistik.
Në atë periudhë Banka e Shqipërisë vendosi të ndërhyjë në treg duke rritur kufirin e blerjes së eurove si pjesë e operacioneve për të mbushur rezervat e saj valutore. Kjo solli menjëherë vlerësimin e së monedhës evropiane.
Por, pavarësisht faktit se Banka e Shqipërisë vendosi sërish ta mbajë të lartë kufirin e blerjes së monedhës evropiane gjatë këtij viti në 250 – 330 milionë euro, monedha kombëtare po shkon drejt thyerjes së barrierës psikologjike, ku 100 lek do të kushtojnë më shumë se 1 euro. Kjo po ndodh prej kohësh me dollarin, që vijon uljen në mënyrë të ndjeshme, aktualisht duke u këmbyer me 0.93 lek.
Banka e Shqipërisë ka vlerësuar se leku i fortë ka ndihmuar në stabilizimin e inflacionit dhe çmimeve, duke marrë parasysh se dollari ndikon drejtpërdrejt tek çmimi i naftës dhe lëndëve të tjera të para, ndërsa euro tek importi i mallrave.
Në raportin e stabiliteti financiar për gjashtëmujorin e dytë Banka e Shqipërisë pranon se mbiçmimi i lekut është në përputhje të plotë me rritjen e konsiderueshme të prurjeve valutore nga turistët, ndërsa për herë të parë gjatë vitit të kaluar deficiti i llogarisë korrente ishte pozitiv; kjo do të thotë se më shumë euro mbetën në vend se dolën.
Ndërsa kjo po vijon edhe në tremujorin e parë të këtij viti ku më shumë se 1.5 milion turistë kanë ardhur në vend, me sezonalitetin e turizmi të shtrirë gjatë gjithë vitit.