AKTORJA E NJOHUR RRËFEN PSE U LARGUA NGA SHQIPËRIA: MË VRANË MAMANË DHE ASKUSH NUK U NDËSHKUA
Ervina Kotolloshi, e njohur për rolin e “Ponjës” në Portokalli, u largua nga Shqipëria në kulmin e karrierës së saj dhe jeton prej vitesh në Paris.
Atje kreu masterin dhe doktoraturën, ndërsa aktualisht jep mësim në një universitet në kryeqytetin francez.
Ervina ka qëndruar larg intervistave dhe vëmendjes publike për kaq shumë kohë por sot ajo dha një intervistë për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ku tregoi arsyen e largimit nga Shqipëria.
Aktorja e humorit tregoi se vendimi për t’u larguar erdhi kur humbi mamanë e saj pas një aksidenti tragjik që pësoi.
“Ishte një vendim që më është dashur kohë ta marr. E kam lënë për një ngjarje shumë personale në 2006. Nuk kam folur asnjëherë për këtë. Humba mamin në një aksident rrugor dhe personi që e aksidentoi nuk kishte patentë dhe kishte pirë alkool. Mamaja ka vuajtur dy muaj në spital para se të ndërronte jetë.
Në atë moment, kam kuptuar se ka pasur shumë institucione që në rastin tim, nuk kanë funksionuar siç duhet. Në radhë të parë ka qenë personi në fjalë që i ka dhënë makinës pa patentë dhe që nxitonte të kapte pjesën e dytë te ndeshjes sepse ishte Kampionati Botëror. E dyta, nuk ka funksionuar mjekësia.
A duhej shpëtuar mamaja pas këtij aksidenti? Në Kodin Rrugor thuhet se nuk duhet ta lëvizësh kur është pa ndjenja. A duhej operuar disa herë? Nuk e di. Por ajo që më ka lënduar më shumë është gjykatësi. Kur e pyeta pse u dënua kaq pak, mu përgjigj se ‘mamaja juaj s’ka vdekur nga aksidenti’.
Ishte e tmerrshme sepse mami kishte shëndet të plotë deri në ditën e aksidentit”, tha ajo.
Më tej, Ervina theksoi se personi që shkaktoi aksidentin nuk ka bërë burg dhe se i vinte keq që s’e ka mediatizuar ngjarjen pasi siç tha ajo, ishte një ngjarje për të reaguar fort pasi institucionet nuk funksionuan./(gazetatema)