Lajm i mirë për qytetarët, nga sot nisin fluturimet direkte nga Tirana në Kopenhagë
Qytetarët shqiptarë nga sot mund të fluturojnë direkt drejt kryeqytetit të Danimarkës, Kopenhagës. Fluturimi i parë direkt është pritur me një ceremoni të veçantë në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, ku çdo ditë shtohen destinacione të reja. Linja e mirënjohur Norwegian Air nga sot deri në fund të sezonit të verës, do të fluturojë 2 herë në javë nga dhe drejt Kopenhagës, duke shtuar një destinacion të ri në hartën e fluturimeve nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA).
Norwegian Air ka nisur prej 4 majit edhe fluturimet drejt Oslos me një frekuencë prej tre herësh në javë.
TIA po përjeton një rritje të ndjeshme të trafikut të pasagjerëve, duke regjistruar një rritje, prej 67%, deri më 20 maj 2024, krahasuar me të njëjtën periudhë për vitin 2023. Kjo rritje e vazhdueshme vjen si rezultat i investimeve serioze që Kastrati Group ka kryer, me qëllimin për ta kthyer atë në aeroportin kryesor të rajonit.
Vit pas viti dhe muaj pas muaji, shifrat shënojnë rekorde ku nga fillimi I vitit 2024 deri më 28 maj janë regjistruar 3.6 milionë pasagjerë. Parashikohet që deri në fund të 2024 në aeroportin e Tiranës të regjistrohen 10 milionë pasagjerë, nga 7.2 milionë që pati vitin e kaluar. Për të përballuar këtë fluks, Kastrati Group vazhdon investimet për zgjerimin e terminalit, përmirësimin e zonave të pritjes dhe zgjatimin e pistës. Vitin e ardhshëm pritet që aeroporti të jetë gati për të çelur destinacione direkte drejt ShBA-ve apo edhe Kanadasë.
Vetëm gjatë tre viteve të para të kontratës së menaxhimit nga Kastrati Group janë kryer 85% e investimeve të parashikuara deri në vitin 2040, duke e bërë TIA një nga aeroportet me rritjen më të shpejtë në rajon.
Norwegian Air në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës
Ceremonia e fluturimit të parë nga Tirana në Kopenhagë me Norwegian Air
Ceremonia e fluturimit të parë nga Tirana në Kopenhagë me Norwegian Air