Lulzim Basha shpalos programin elektoral: 2,000 euro për çdo bebe, 20 mijë euro për fëmijën e trete
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha prezantoi sot në Parkun Olimpik programin e PD për zgjedhjet e ardhshme parlamentare me sloganin “Shqipëria meriton më shumë”.
Në program përfshihet fondi për mirëqenien e familjes, që parashikon 2,000 euro për çdo bebe dhe 20 mijë euro për fëmijën e trete. 30 mijë çifte të reja shqiptare do të marrin subvencionim të plotë të interesave për kredi për shtëpinë.
Në program gjithashtu thuhet se do të ketë drekë për nxënesit në gjithë shkollat 9 vjeçare dhe të mesme dhe shkollë gjatë gjithë ditës kurse kompjuteri, gjuhë të huaj, klasa arti dhe klasa sportive deri në orën 16.
Sa i përket gjeneratës së ardhshme, parashikohet trajnim/praktikë punë e paguar 1 vjeçare për të marrë një profesion për 10 mijë të rinj pas shkollës së mesme (që nuk vazhdojnë universitetin), por edhe për student të sapodiplomuar, si urë lidhëse mes shkollës dhe tregut të punës.
Gjithashtu parashikohen të ngrihen katër Kampuse Kombëtare ku do të trajnohen 25 mijë të rinj në fusha prioritare të teknologjisë së informacionit dhe programimit.
Programi i PD parashikon taksë të sheshtë 9 %, si dhe tatim 9 % për profesionet e lira.
Sa i përket reformës së pronës në program parashikohet zgjidhja e menjëhershme dhe pa burokraci. Kthim i menjëhershëm i pronës aty ku është e lirë, kompensim me vlerë tregu ku është zënë. Lëshimi i obligacionit/bonove nga shteti, që paguhen çdo vit me 1/20 e vlerës. Regjistrim i pronave me parimin Uti Posidetis.
Në program parashikohet edhe mbështetje për familjet fermere.
Çdo vit do të akordohen 100 milionë euro subvencion direkt për bujqësinë dhe blegtorinë. 50 milionë euro në infrastrukturë, për mbështetje të drejtpërdrejtë përfitues 150 mijë fermerë.
Programi parashikon edhe rritje për pensionet si dhe bonus periodik.
Gjithashtu, statusi i të Përndjekurit do të jetë me vlerë monetare të barabartë me statusin e ish ushtarakut.
Në program gjithashtu thuhet se, 5000 djem dhe vajza të moshës 18-22 vjeç që angazhohen në 4 vite shërbim aktiv në Forcat e Armatosura, bashkë me trajnimin marrin një profesion ose diplomohen me shpenzimet e shtetit. Paguhen si rezervistë deri në moshën 45 vjec.
Programi parashikon edhe krijimin e Xhandarmërisë Kombëtare.
Po ashtu, parashikohet krijimi i Njësisë së zbulimit dhe rikuperimit të pasurisë së vjedhur: për të gjitha pasuritë e vjedhura shtetit/publikut. Si dhe ngritja e Gjykatës së Auditit.
Shteti merr përsipër të zerojë çdo detyrim të qytetareve në problematikat me natyrë administrative në raport me institucionet e shtetit.
Po ashtu në program parashikohet udhëtimi pa viza në Shtetet e Bashkuara të Amerikës brenda mandatit.